Lidhje

Venezuelë, kërkohet heqja e imunitetin të zotit Guaido


Kryetari i Gjykatës së Lartë në Venezuelë u ka kërkuar ligjvënësve të atij vendi që t’i heqin imunitetin parlamentar udhëheqësit të opozitës Juan Guaido, përpjekje këto që mund t’i hapin rrugën mundësisë së arrestimit të tij.

Gjykatësi Maikel Moreno akuzoi zotin Guaido se kishte shkelur një vendim të Gjykatës së Lartë për të mos u larguar nga vendi, ndërsa ai vizitoi disa vende të Amerikës së Jugut për të konsoliduar mbështetjen rajonale ndërsa kërkon të rrëzojë Presidentin Nicolas Maduro.

Duke folur për mbështetësit të hënën, zoti Guaido tha se ai nuk i druhet arrestimit ndërsa vuri në lojë përpjekjet e qeverisë për ta diskredituar atë.

“Një grup i vogël njerëzish të dhunshëm duan të ngjallin frikën mes nesh. Pavarësisht kërcënimeve nga Gjykata e Lartë, unë jam këtu me ju. Jemi në një rrugë të qartë për t’i dhënë fund uzurpimit, për një qeveri kalimtare dhe zgjedhje të lira”- tha udhëheqësi i opozitës.

Gjatë fjalimit, mbështetësit e zotit Guaido u sulmuan me gaz lotësjellës por nuk është e qartë se kush ishte autori.

Në muajin janar, zoti Guaido bazuar në kushtetutën e vendit mori drejtimin e përkohëshëm si presidenti i vendit, duke argumentuar se rizgjedhja e zotit Maduro në vitin 2018 ishte e paligjshme. Zoti Guaido është njohur si udhëheqës legjitim i Venezuelës nga Shtetet e Bashkuara dhe 50 vende të tjera.

Ndërkohë udhëheqësi 35 vjeçar i opozitës ka bërë thirrje për vazhdimin e protestave pasi presidenti Maduro njoftoi një plan 30 ditor për racionimin e energjisë elektrike. Zoti Maduro tha në një fjalim të dielën se shkollat do të mbylleshin dhe kohëzgjatja e ditës së punës do të shkurtohej për të kursyer energji elektrike gjatë periudhës 30 ditore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG