Lidhje

Zgjedhjet në Turqi, ndikimi i humbjeve mbi Presidentin Erdogan


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka pësuar goditjen më të rëndë zgjedhore, ndërsa partia e tij AKP humbi kontrollin e kryeqytetit, Ankarasë dhe me sa duket do të humbasë Stambollin në zgjedhjet lokale që u zhvilluan të dielën. Humbjet kanë dëmtuar reputacionin e presidentit Erdogan për pathyeshmërinë në zgjedhje.

Një poster i partisë AKP, është shkruar ndoshta pak para kohe - Presidenti Erdogan dhe kandidati i tij për kryebashkiak Binali Yildirim falënderojnë Stambollin për fitore.

Por është kandidati i partisë së opozitës CHP, Ekrem Imamoglu i cili me sa duket ka votat dhe po pret fitoren në Stamboll, megjithëse me një diferencë të vogël votash.

Qarku Uskudar i Stambollit është një pikë e fortë e partisë AKP.

Disa mbështetës të saj thonë se Yildirim fitoi.

"Stambolli është fituar nga zoti Yildirim. Me dëshirën e Zotit, ai do të konfirmohet".

Por të tjerë pranojnë humbjen.

"Ata u mposhtën pasi nuk arritën objektivat e vendosura për disa programe të tyre. Ata humbën për shkak të situatës ekonomike dhe politike si dhe papunësisë", thotë një banor i Uskudarit.

Vetëm pak metra më larg Uskudarit është qarku Kadikoy, një pikë e fortë e opozitës CHP.

Partia CHP këtu po feston fitoren dhe njerëzit po shohin tashmë drejt një së ardhmeje të re.

"Mendoj se rezultati ishte i papritur për njerëzit. Këto ishin zgjedhje që do të mbahen mend për një kohë të gjatë. Partia AK fitoi zgjedhjet për shumë vjet, por mendoj se tani ka ndodhur një ndryshim dhe besoj se ky ndryshim do të jetë i mirë për njerëzit", thotë Emir, punonjës i linjës ajrore turke.

Stambolli është kryeqyteti industrial, financiar dhe kulturor i Turqisë, dhe sipas analistëve, tradicionalisht siguron nxitje për ndryshime politike.

"Ndryshimi i krahut të Stambollit në këto zgjedhje pas një çerek shekulli, do të nxisë opozitën dhe do të ketë gjithmonë një ndikim në jetën politike turke", thotë Baris Doster, profesor komunikimi në universitetin Marmara.

Duke pasur parasysh rëndësinë e Stambollit për AKP-në, kandidati Yildrim vazhdon të sfidojë rezultatin.

Megjithatë, në fortesat e AKP-së si në qarkun Uskudar, disa po bëjnë thirrje për pajtim e jo konfrontim.

"Ne të gjithë jemi vëllezër, kjo nuk është luftë, nëse votojmë për Kryeministrin, apo për Kryetarin e Bashkisë. Dëshiroj që vendi ynë të jetojë në paqe nën një flamur", - thotë një pensionist.

Mënyra si do të zgjidhet rezultati i diskutueshëm në Stamboll, do të jetë kyç për të përcaktuar nëse ndarja politike e Turqisë do të vazhdojë të thellohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG