Lidhje

25 vjet pas gjenocidit në Ruandë


25 vjet më parë, gjenocidi në Ruandë shkaktoi rreth 800,000 viktima, kryesisht mes popullsisë Tutsi. Sipas Bankës Botërore, Qysh nga ajo kohë, Ruanda ka bërë përparim në rimëkëmbjen nga shkatërrimi, duke e përmirësuar ekonominë me një rritje të prodhimit të përgjithshëm bruto gjashtë deri në tetë përqind në vit që nga viti 2003. Gjithashtu, Ruanda tani ka përqindjen më të lartë në botë të parlamentareve femra - më shumë se 60 për qind.

Gjithçka filloi më 6 prill të vitit 1994, kur një avion me të cilin po udhëtonte presidenti Hutu i Ruandës, Juvenal Habyarimana dhe homologu i tij nga Burundi, u qëllua me armë dhe u rrëzua. Marie Berry është një profesoreshë e studimeve ndërkombëtare në Universitetin e Denverit në Kolorado:

"Ka patur shumë konfuzion dhe natyrisht, luftë për pushtet brenda administratës së tij. Gjatë muajve në vijim objektivat u zgjeruan dhe civilët Tutsi të Ruandës filluan të shiheshin si armiq; niveli i mizorive, sigurisht që ishte i jashtëzakonshëm. Në një periudhë tre-mujore u vranë ndoshta 800 mijë njerëz, shumica e tyre ishin Tutsi,"- thotë ajo.

Pas gjenocidit, Paul Kagame i Frontit Patriotik, u bë de facto udhëheqësi i Ruandës ... fillimisht si zëvendës-president i Pasteur Bizimungut dhe më pas si president i vendit. 25 vjet më pas, njerëzit ende ballafaqohen me atë që ka ndodhur. Nadine Niyitegeka ishte vetëm tre vjeç kur filloi gjenocidi. Ajo u diplomua kohët e fundit nga Instituti për Gratë Akilah i Ruandës.

"Tani kemi një brez njerëzish, prindërit e të cilëve janë në burg, një brez që nuk është si unë, ata madje nuk i kanë më prindërit. Pra ndodhemi përballë traumës dhe shërimit. Ky është një proces. Tani ndodhemi në një fazë të mirë", - thotë Nadine.

Një tregues i kësaj: numri i madh i grave parlamentare.

"Ne ishim një shoqëri shumë patriarkale dhe fakti që këto gra thyen rregullat, është frymëzues. Si një grua e re, i kam mundësitë të arrij edhe më tepër se këto gra, sepse për mua nuk ka sfida si ato me të cilat janë përballur ato", - thotë Nadine.

Në mënyrë ironike, gjenocidi i Ruandës bëri që grave t’u hapen dyert, sepse shumica e viktimave ishin burra. Gratë, 70 përqind e të cilave mundën të mbijetojnë, u përfshinë në fusha më parë të mbyllura për to, përfshirë edhe parlamentin. Ligjvënëset gra, të cilët përbëjnë më shumë se 60 për qind të Parlamentit, kanë sjellë ndryshime në hartimin e politikave, sipas Marie Berry-t, të Universitetit të Denverit:

"Ndoshta më i rëndësishmi ishte një projektligj lidhur me dhunën me bazë gjinore. Për shkak të udhëheqjes së ligjvënëseve femra në këtë çështje, Ruanda u bë një nga vendet e botës që miratoi ligje me të vërtetë progresive, si dhe institucione që lidhen me luftën për parandalimin e dhunës me bazë gjinore ", - thotë Marie Berry.

Por studjuesja Berry, e cila shkroi një libër për gratë dhe dhunën në Ruandë dhe Bosnje-Hercegovinë (Lufta, Gratë dhe Pushteti: Nga dhuna tek Mobilizimit në Ruandë dhe Bosnje-Hercegovinë)), thotë se grave të Ruandës ende u mbetet një rrugë e gjatë përpara.

"Atje nuk ndodhi një transformim i marrëdhënieve patriarkale brenda familjes. Nuk ka patur një transformim real, themelor në lidhje me mënyrën se si përdoret pushteti politik, sepse në Ruandë pushteti është përqëndruar drejtpërdrejt në duart e udhëheqësit”, - thotë studjuesja Berry.

Marie Berry thotë se ndërsa qeveria e Ruandës ka përfituar në arenën globale nga fuqizimi i grave në parlament, duket se ajo shqetësohet për disidencën politike, siç është rasti i futjes në burg kohët e fundit i udhëheqëseve të opozitës Victoire Ingabire dhe Diane Rwigara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG