Lidhje

Kryeministrja May do të kërkojë një shtyerje tjetër për Brexit-in


Kryeministrja britanike Theresa May njoftoi të martën se do të kërkojë një shtyrje të mëtejshme të procesit për daljen e vendit nga Bashkimi Europian me qëllimin për t’i dhënë më shumë kohë parlamentit të miratojë një marrëveshje mbi kushtet e largimit.

Deri më sot ligjvënësit britanikë e kanë kundërshtuar tre herë marrëveshjen e zonjës May për të cilën u ra dakort pas dy vite bisedimesh me BE-në.

Zonja May tha se është e gatshme të takohet me udhëheqësin e opozitës Jeremy Corbyn, kryetar i Partisë Laburiste, në një përpjekje për të rënë dakord mbi një plan për Brexit-in që do të miratohej nga ligjvënësit.

Fillimisht Britania duhej të largohej nga blloku më 29 mars, por Zonja May morri miratimin e BE-së për një shtyrje të shkurtër të afatit.

Ndërsa procesi po zvarritej, parlamenti u përpoq të gjejë një zgjidhje mbi çështjen, por pas një serie votimesh të hënën, ligjvënësit hodhën poshtë katër propozimeve të mundshme për të bërë përpara me procesin. Propozimi që mori më shumë mbështetje ishte ai sipas të cilit Britania do të tërhiqej nga BE-ja, por duke ruajtur regjimin e përbashkët doganor.

Afati i fundit i vendosur nga Bashkimi Evropian është 12 prilli. Nëse deri atëherë udhëheqësit britanikë nuk do të kenë rënë dakord për një plan, sipas kryenegociatorit të BE-së Michel Barnier zgjidhja e vetme në këtë pikë do të ishte që vendi të dilte nga BE-ja pa marrëveshje ose t’u kërkonte anëtarëve të bllokut të pajtoheshin për një zgjatje të re të afatit të shkëputjes.

Michel Barnier
Michel Barnier

Më herët, po të martën kryenegociatori i Bashkimit Evropian Michel Barnier tha se Britania po i afrohet gjithnjë e më shumë skenarit të shkëputjes nga BE-ja pa marrëveshje mbi kushtet e tërheqjes.

Duke folur në Bruksel zoti Barnier tha se megjithatë ka ende shpresë për të shmangur një të ashtuquajtur Brexit pa marrëveshje. Por sipas tij Britania i ka mundësitë e kufizuara, që është skenari ku parlamenti britanik pranon marrëveshjen e Kryeministres Theresa May frut i dy viteve bisedimesh me BE-në.

Deri më sot ligjvënësit britanikë e kanë hedhur poshtë tre herë këtë marrëveshje. Zonja May pritet të bëjë një përpjekje të re duke e sjellë atë sërish për votim për herë të katërt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG