Lidhje

Pence: Thirrje Venezuelës për lirimin e drejtuesve të Citgo-s


Nënpresidenti Mike Pence u takua me familjarët e gjashtë drejtuesve të kompanisë “Citgo Petroleum” të cilët mbahen të ndaluar nga qeveria e Presidentit Nicolas Maduro në Venezuelë.

Drejtuesit e kompanisë u arrestuan në vitin 2017 dhe u akuzuan për pastrim parash dhe përvetësim që përfshin kompaninë shtetërore të naftës.

"Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për lirimin e menjëhershëm të këtyre gjashtë personave, pesë amerikanë si dhe një banor i përhershëm i ligjshëm i Shteteve të Bashkuara. I bëjmë thirrje regjimit të Maduro-s që t'i lirojë menjëherë të burgosurit politikë”, tha ai.

Në Venezuelë ligjvënësit besnikë të presidentit Maduro i hoqën imunitetin nga ndjekja penale kreut të opozitës Juan Guaido, të cilin ai e gëzonte si anëtar i parlamentit. Kjo gjë që i ka hapur rrugë arrestimit të mundshëm të tij.

Ky zhvillim erdhi një ditë pasi kryetari i Gjykatës së Lartë të Venezuelës tha se zoti Guaido duhet të burgoset për shkelje të një urdhri të gjykatës që e ndalonte atë të largohej nga vendi.

Zoti Guaido u tha mbështetësve se ai e kupton rrezikun me të cilin përballet, por kjo gjë nuk e shkurajon.

"Ne e dimë se ajo çka ata ofrojnë është forca shtazore. Por ne kemi guxim, zgjuarsi, shpirt, forcë, zemër, shpresë e besim tek ky vend dhe tek vetja. Më kanë kontaktuar tashmë dhjetëra ministra të huaj, madje edhe president të shqetësuar për situatën. Bashkëpunimi ndërkombëtar është një fakt dhe ata nuk do të donin ta vinin në provë vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare. Është regjimi që vendos se si do të largohet dhe sot e ka një mundësi", tha zoti Guaido.

Udhëheqësi i opozitës venezueljane vizitoi muajin e kaluar disa vende të Amerikës së Jugut për të konsoliduar mbështetjen rajonale në përpjekjet për të rrëzuar nga pushteti Nicolas Maduron.

Shtetet e Bashkuara së bashku me disa vende evropiane dhe të Amerikës së Jugut e kanë njohur Juan Guaidon si presidentin legjitim të Venezuelës, pas procesit të diskutueshëm zgjedhor të vitit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG