Lidhje

Çikago, kryebashkiakja e parë afrikano-amerikane


Çikagoja ka zgjedhur kryebashkiaken e parë afrikano-amerikane, Lori Lightfoot, një politikane homoseksuale, e cila po premton të ndërmarrë reforma në një qytet të goditur nga krimi dhe problemet buxhetore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O'Sullivan njofton se zonja Lightfoot fitoi me një epërsi të madhe, prej gati 50 pikësh ndaj kundërshtares së saj politike, Toni Preckwinkle.

Të dy kandidatët, Lori Lightfoot dhe Toni Preckwinkle, janë gra afrikano-amerikane.

Fituesja e zgjedhjeve, 56-vjeçarja Lightfoot, u premtoi mbështetësve të saj një drejtim të ri për qytetin e tretë më të madh të Amerikës.

"Sot, ju arritët të bëni jo vetëm histori, por gjithashtu krijuat një lëvizje për ndryshim".

Rivalja e saj 72-vjeçarje është shefe ekzekutive e kontesë Kuk, që është pjesë e Çikagos.

Votuesit e uritur për ndryshim mbështetën zonjën Lightfoot.

"Jam gati për ardhjen e një drejtuesi të ri, me ide të reja për qytetin", thotë Marcia Lewis, mbështetëse e kryebashkiakes së zgjedhur të Çikagos.

Çikagoja pati më shumë se 550 vrasje vitin e kaluar, një rënie në krahasim me dy vitet e mëparshme, por më shumë se Los Anxhelosi dhe Nju Jorku së bashku. Departamenti amerikan i Drejtësisë ka akuzuar departamentin e policisë në Çikago për përdorim të tepruar të forcës dhe për njëanshmëri racore.

Duke marrë parasysh që dhuna me armë nxitet nga tregtia e drogës dhe pabarazia racore, një analiste thotë se Çikagoja është vërtet një qytet i ndarë në dy pjesë mjaft të dallueshme.

"Në njërën anë është qendra e bukur dhe lagjet shumë të pasura dhe të sigurta të qytetit, ndërsa në anën tjetër janë lagjet që përballen me shumë vështirësi dhe ndarje ekstreme dhe të vazhdueshme racore që ka qenë trashëgimia e Çikagos", thotë Constance Mixon e kolegjit Elmhurst.

Çikagoja është një qytet ku dominojnë demokratët. Ish-presidenti Barak Obama e filloi karrierën e tij politike në këtë qytet.

Shefi i tij i personelit në Shtëpinë se Bardhë, Rahm Emanuel, ka qenë kryetar i bashkisë që nga viti 2011.

Sot, pakicat dominojnë, por një tjetër analiste thotë se zgjedhjet nuk kanë të bëjnë me racën.

"Është e vështirë të mos mendosh se qyteti dhe udhëheqësit e tij na kanë kthyer shpinën. Kështu që zgjedhja e dikujt tjetër që të ngjan ty, nuk do të thotë se do të punojë për ty", thotë konsulentja Delmarie Cobb.

Kandidatja që humbi u zotua se do ta mbështesë fituesen.

"Jo shumë kohë më parë, konkurrimi i dy grave afrikano-amerikane për këtë pozitë do të ishte i paimagjinueshëm. Edhe pse mund të jetë e vërtetë që ne kemi ndjekur rrugë të ndryshme për të arritur këtu, sonte duhet të përqëndrohemi në rrugën që na çon përpara".

Kryebashkiaken e re e pret një punë e madhe për trajtimin e sfidave të shumta të qytetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG