Lidhje

Stoltenberg në Kongresin amerikan: SHBA mbetet shtylla kurrizore e NATO-s


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg foli të mërkurën përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit amerikan, në prag të një takimi në Uashington të ministrave të jashtëm të aleancës.

Fjalimi mbahet me rastin e 70-vjetorit të Aleancës dhe ftesa për zotin Stoltenberg synon të tregojë mbështetjen dypartiake që ekziston në Kongresin amerikan për NATO-n.

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg u prit në Kapitol me duartrokitje të gjata.

Është hera e parë që një sekretar i përgjithshëm i Aleancës flet përpara dy dhomave të Kongresit amerikan.

Zoti Stoltenberg theksoi se NATO-ja është jo vetëm aleanca më jetëgjatë, por edhe më e suksesshmja në histori.

“Që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949, çdo Kongres, çdo president amerikan, burrat dhe gratë tuaja në uniformë dhe njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë përkrahës të vendosur të NATO-s. Amerika ka qenë shtylla kurrizore e Aleancës sonë. Ajo ka qenë thelbësore për sigurinë evropiane dhe për lirinë tonë. Ne nuk do të kishim një Evropë paqësore dhe të begatë që shohim sot pa sakrificën dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara,” tha zoti Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm e mban fjalimin pas një takimi që pati dje në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, ku mes të tjerash u fol për ndarjen e barrës financiare mes anëtarëve të Aleancës.

Ai tha se mesazhi i presidentit për një ndarje më të drejtë të barrës së shpenzimeve, ka filluar të ketë ndikim real.

Ftesa për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s erdhi nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell për të treguar mbështetjen dypalëshe që aleanca 70-vjeçare gëzon mes ligjvënësve, pavarësisht kritikave që Presidenti Donald Trump i ka bërë herë pas here aleancës.

Zoti Stoltenberg, mandati i të cilit është zgjatur deri në vitin 2022, tha mes të tjerash në fjalim:

“Ne frenuam Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Ndaluam mizoritë në Ballkan. Luftuam terrorizmin nga Afganistani në Lindjen e Mesme. Mirëpritëm vendet e reja të lira të Evropës Qendrore dhe Lindore në Aleancë, duke ndihmuar në përhapjen e demokracisë, paqes dhe begatisë”.

Ai tha se dyert e NATO-s janë të hapura, dhe se me mbështetjen e aleatëve, Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet anëtarja e 30-të.

Por zoti Stoltenberg shtoi se suksesi në të kaluarën nuk është garanci për suksesin në të ardhmen.

Fjalimi i tij vjen në prag të takimeve të ministrave të jashtëm të NATO-s në Uashington.

Sesioni i tyre i parë të enjten do të përqëndrohet tek Rusia. Ministrat pritet të miratojnë një paketë masash për të përmirësuar mbrojtjen e NATO-s në Detin e Zi.

Tema të tjerë do të jenë misioni i NATO-s në Afganistan dhe vendimi i shpallur nga Turqia për të blerë një sistem raketash ruse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG