Lidhje

Barr: "brenda një jave" publikohet një version i redaktuar i raportit Mueller


Kreu i Departamentit të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm William Barr tha të martën se pret të publikojë "brenda një jave" një version të redaktuar të raportit hetimor të prokurorit të posaçëm për Rusinë.

Zoti Barr u tha anëtarëve të Kongresit se plani i tij i mëparshëm për ta publikuar versionin e raportit nga mesi i prillit ende qëndron. Kjo është paraqitja e tij e parë publike që nga marrja e raportit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

Raporti, i cili është pothuajse 400 faqe i gjatë, po redaktohet për të hequr informacione sekrete dhe hollësi që kanë të bëjnë me hetime të ndryshme që janë në pritje.

Zoti Barr nuk pranoi të diskutojë me ligjvënësit asnjë hollësi të raportit.

Demokratët e kritikuan ashpër zotin Barr për për mënyrën e trajtimit të raportit. Ata thanë se ishin të shqetësuar për faktin që përmbledhja prej 4 faqesh e konkluzioneve kryesore të raportit, publikuar muajin e kaluar nga kreu i Departamentit të Drejtësisë, i përshkruante gjetjet e hetimit në një mënyrë shumë të favorshme për Presidentin Donald Trump.

Kryetarja e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin, Nita Lowey, tha se përmbledhja e hartuar nga zoti Barr "ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje".

Demokratja e New York-ut i kërkoi atij që "të sjellë transparencë në këtë proces sa më shpejt që të jetë e mundur".

Duke shpjeguar se përse e publikoi aq shpejt letrën përmbledhëse për raportin, zoti Barr tha se "opinioni i prokurorit të posaçëm Mueller nuk ishte mister për Departamentin e Drejtësisë para se të dorëzohej raporti.”

Objektivi i seancës ishte projekt-buxheti i propozuar nga administrata e Presidentit Trump për Departamentin e Drejtësisë për vitin fiskal që fillon në tetor.

Por Prokurori i Përgjthshëm e vuri theksin tek përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për të mbrojtur zgjedhjet e ardhshme nga ndërhyrjet e huaja, duke thënë se siguria e zgjedhjeve është një çështje kryesore për agjencinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG