Lidhje

Shqipëri, ushtria në aeroport shkakton debate


Në Shqipëri vendimi për të angazhuar forcat e Ushtrisë për të garantuar sigurinë e aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza, pas grabitjes së ndodhur dy ditë më parë, ka shkatuar debate të forta. Presidenti Republikës Ilir Meta ka kërkuar shpjegime nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa opozita flet për një shkelje kushtetuese. Por ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka shpjegoi sot se në këtë rast bëhet fjalë për një objekt të rëndësisë së veçantë i cili është në funksion dhe të Natos.

Shqipëri, ushtria në aeroport shkakton debate
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

Që prej mbrëmjes së djeshme, njësitë e ushtrisë shqiptare kanë marrë përsipër sigurinë në perimetrin e jashtëm të aeroportit Nënë Tereza, ku ditë më parë një grup grabitësish hynë me lehtësinë më të madhe deri në pistën e avionëve duke marrë prej andej një sasi shumë të madhe parashë.

Por vendimi ka shkaktuar debate. Presidenti Ilir Meta, përmes zëdhënësit të tij njoftoi sot se i ka kërkuar zyrtarisht informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Bardhyl Kollçakut, mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza.

Nga ana e saj opozita ka folur për një vendim që sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha, është në shkelje të hapur të kushtetutës “pa shpallur gjendjen e jashtzakonshme dhe pa autorizim nga Kuvendi siç e kërkon qartë dhe prerë Kushtetuta, siç e kërkon qartë dhe prerë ligji për Forcat e Armatosura”.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka shpjegoi sot se nuk bëhet fjalë për dislokim trupash apo cënim të sigurisë kombëtare, por “sepse sot kemi këtë ngjarje, e cila është një ngjarje e përsëritur, e cila është një ngjarje që po hetohet dhe deri në rivendosjen e masave të sigurisë dhe moscënimit të aeroportit, ne do të jemi këtu edhe sepse kemi një detyrim ligjor, ligji i 99 me ratifikimin e statusit të NATO-s edhe të personaliteteve të saj. Pika 11 e këtij ligji na detyron të garantojmë infrastrukturën kritike dhe objektet e rëndësisë së veçantrë, të cilat janë në funksion të NATO-s, misionit të saj, lëvizjeve të saj, pra të Aleancës. Dhe jemi të detyruar të jemi këtu”.

Autoritetet shqiptare vijuan dhe sot të shprehen me tone kritike ndaj kompanisë kineze e cila ka në administrim aeroportin. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se gjetjet dhe detyrat që i janë lënë kompanisë koncesionare që pas grabitjes së parë në vitin 2016 kanë rënë në vesh të shurdhër. “Masat e marra kanë qenë gjithmonë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme, masat e marra nga koncesionari i TIA kanë qenë për të kaluar radhën e për të vazhduar qetësisht vjeljen e kësaj kontrate të gabuar që në gjenezën e saj, kontratë kjo që nuk i ka lënë hapësirë shtetit shqiptar për të penalizuar kompaninë kineze dhe për ta bërë atë përfundimisht të ndërgjegjshme për dëmin që i ka krijuar Shqipërisë në të gjitha aspektet, financiar, sigurinë kombëtare dhe padyshim dëmtimin e imazhit”, u shpreh zonja Balluku e cila sot në mbrëmje pritet të ketë një takim me presidentin e kompanisë kineze.

Por për opozitën faji nuk duhet kërkuar te koncesionari, pasi siguria është detyrë e shtetit, tha zoti Basha, sipas të cilit, në rastin e grabitjes nuk është respektuar nga policia një urdhër i vetë ministrit të Brendshëm që siç tha zoti Basha parashikon që “Policia e Shtetit të shoqërojë dhe të ruajë transportimin e vlerave monetare mbi shumën 950 milionë lekë, dhe kërkon pra që jo vetëm të shoqërohet, por të garantohet nga Policia e Shtetit shënimi i çdo ngarkese me para, ndërkohë që asnjë prej elementëve të sigurisë, të kërkuar nga ky urdhër, nuk ishte vendosur në thasët që mundën të marrin grabitësit”.

Zoti Basha madje hodhi dyshime për një përfshirje dhe të strukturave shtetërore në grabitjen e dy ditëve më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG