Lidhje

Gjykata: Prokurori Sheshi s’ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit


Në Shqipëri Gjykata administrative rrëzoi vendimin e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) sipas të cilit prokurori Bujar Sheshi, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë kishte qenë bashkëpunëtor dhe anëtar i ish Sigurimit të Shtetit. Avokati i zotit Sheshi deklaroi se gjykata i kishte pranuar pretendimet e tyre sipas të cilave nuk bëhet fjalë për të njejtin person dhe se klienti i tij nuk ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit por se ka qenë thjesht hetues në periudhën e komunizmit.

Sipas vendimit të AIDSSH, rezulton se është gjetur një dokument mbi një person me emrin Bujar Rasim Shesha i cili nga dokumentat e nxjerra nga dosjet e ish Sigurimit, rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor, në kohën kur ka qenë nxënës në gjimnazin Petro Nini Luarasi në Tiranë. Sipas dosjes ai ka patur pseudonimin Venusi, por nuk ka të dhëna për rolin e tij. Në gjeneralitete, babi i prokurorit rezulton me emrin Ramiz, por Autoriteti është i bindur se, pavarësisht këtij ndryshimi, bëhet fjalë për dosjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

AIDSSH reagoi sot ndaj vendimit të Gjykatës duke e cilësuar atë “të padrejtë, të pabazuar dhe të pakuptueshëm, sidomos kur rrëzon ekzistencën e dokumenteve autentike të ish-Sigurimit të Shtetit për shtetasin Bujar Sheshi (Shesha)”.

Sipas Autoritetit janë një sërë rrethanash që nuk lënë vend për dyshime rreth faktit se nuk bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm, duke nisur që nga mbiemri, pasi dhe familja e prokurorit ka mbajtur më parë mbiemrin Shesha, te datëlindja e njejtë me atë të shënuar në dosjen e ish Sigurimit, vendlindja po ashtu si dhe fakti po i njëjtë se në të gjitha dokumentat rezulton që të ketë qenë nxënës në gjimnazin Petro Nini Luarasi. Dhe e vetmja mospërputhje, saktëson AIDSSH, qëndron te atësia, Rasim në dosjen e ish Sigurimit dhe Ramis e më pas Ramiz në gjeneralitetet e prokurorit.

Në deklaratën e shpërndarë sot pas vendimit të Gjykatës, Autoriteti thekson se nga përfaqësuesit e saj dhe të Avokaturës së Shtetit “është argumentuar në gjykatë, përmes dokumenteve arkivore shtesë, se lidhja e tij me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit ka filluar që në kohën e diplomimit të tij në profilin Sigurim, emërimin si “Oficer” dhe më pas “Hetues” në Degën e Punëve të Brendshme. Provat e paraqitura nga AIDSSH, përfshirë aktet adminstrative të brendshme, të strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit, kanë vërtetuar lidhjen dhe bashkëveprimin e pakundërshtueshëm të hetuesisë me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit”, saktëson deklarata.

Vetë zoti Sheshi ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike të ketë qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit. “Deklaroj me përgjegjësi të plotë para jush dhe para ligjit nuk kam qenë asnjëherë bashkëpunëtor I fshehtë i ish Sigurimit të Shtetit shqiptar”, u shpreh ai në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke folur më pas për një skenar që siç u shpreh, më shumë se sa kundër personit të tij, synon të godasë Këshillin e Prokurorisë në prag të ngritjes së strukturave të reja të Drejtësisë.

Por çështja e tij duket se nuk do të mbyllet vetëm me këtë vendim. AIDSSH deklaroi se është “e vendosur ta apelojë vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit, e bindur se interesi publik prevalon mbi atë individual, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG