Lidhje

Macron, plan ambicioz për rindërtimin e katedrales


Ndërsa ekipet e ekspertëve kontrollojnë stabilitetin strukturor të katedrales Notrë Damë dhe punojnë për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmeve nga zjarri masiv në ikonën shekullore të Parisit, Presidenti Emmanuel Macron ka parashtruar një synim ambicioz për rindërtimin e saj brenda pesë vjetësh.

Fillimi është i mirë; qytetarët e pasur francezë dhe bizneset kanë premtuar deri tani rreth 800 milionë dollarë.

Kryeministri Edouard Philippe njoftoi të mërkurën një garë globale për të rindërtuar konin e katedrales, e cila u shkatërrua pas rrëzimit të çatisë. Ai tha se arkitektët nga e gjithë bota do të ftohen të paraqesin projekte për një "kon të ri që përshtatet me teknikat dhe sfidat e epokës sonë".

Por ata që përgjigjen për restaurimet në katedralet e tjera historike, paralajmërojnë se mund të duhen dekada për të realizuar këtë detyrë.

Rektori i katedrales, Peshkopi Patrick Chauvet u tha pronarëve të bizneseve lokale të mërkurën, se monumenti i famshëm do të mbyllet për "pesë deri në gjashtë vjet". Ai tha, "Një segment i katedrales është shumë i dobësuar" nga flakët, por nuk specifikoi se për cilën pjesë bëhej fjalë. Chauvet tha gjithashtu se nuk ishte e qartë se me çfarë do të merren tani të 67 punonjësit e kishës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha nëpërmjet Twitterit të mërkurën se i kishte shprehur ngushëllime Papa Françeskut në emër të qytetarëve të SHBA dhe ofroi ekspertizën e ekspertëve amerikanë për të ndihmuar në rinovimin e katedrales gotike.

Zjarri shpërtheu të hënën në mbrëmje dhe u deshën 400 zjarrfikës të luftonin me flakët për nëntë orë për ta vënë atë nën kontroll.

Koni dhe çatia e Notrë Damit u shembën, por muret e katedrales, kulla e këmbanave dhe dritaret e qelqta të ngjyrosura mbijetuan.

Zyrtarët thanë se disa prej veprave të artit u dëmtuan, siç ishte organoja kryesore, por shumë prej veprave dhe objekteve mbijetuan dhe do të dërgohen në Muzeun e Luvrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG