Lidhje

Amazon kufizon operacionet e biznesit në Kinë


Kompania Amazon thotë se po kufizon operacionet e biznesit në Kinë, tregu më i madh i shitjes me pakicë në botë, pasi konkurroi kundër disa lojtarëve vendas më të mirë, që kanë një klientelë besnike për më shumë se një dekadë.

Kompania njoftoi kohët e fundit se duke filluar nga 18 korriku, ajo nuk do të ofrojë më shërbime përmes faqes së saj kineze, Amazon.cn. Vendimi do të thotë se Amazoni do të ndalojë shitjen e mallrave nga prodhuesit vendorë në Kinë tek konsumatorët vendas në portalin e saj. Megjithëse po shkëputet nga biznesi elektronik i shitjeve me pakicë në Kinë, Amazoni do të vazhdojë me biznesin e saj ndërkufitar, duke sjellë mallra dhe firma të huaja në Kinë, tha kompania.

"Kërkesa e tyre për mallra me cilësi të lartë dhe autentike nga e gjithë bota vazhdon të rritet me shpejtësi, dhe duke pasur parasysh praninë tonë globale, Amazoni është i pozicionuar mirë për t'u shërbyer klientëve kinezë", tha kompania.

Njoftimi ka ngritur pikëpyetje rreth pranisë jashtëzakonisht të dobët të kompanive të huaja në bizneset e lidhura me internetin në Kinë, ndërkohë që kompanitë kineze si Alibaba krijojnë hapësira tregu për veten e tyre në mbarë botën.

Pjesa e tregut të Amazonit në Kinë ka rënë nga rreth 15 për qind një dekadë më parë në rreth 6 për qind. Alibaba dhe një kompani tjetër kineze, jd.com, zotërojnë gati 75 përqind të tregut kinez. Dyqani i blerjeve në internet eBay më parë u largua nga Kina, pasi nuk mund të arrinte të bënte fitim.

Kina është konsideruar nga shumë ekspertë si një treg i vështirë për kompanitë e huaja edhe pa marrë parasysh pengesat e shkaktuara nga politikat qeveritare. Në rastin e Amazonit, megjithatë, analistët thanë se arsyet për performancën e tij të dobët qëndrojnë në paaftësinë për të qënë prezente në përmbushjen e kërkesave të tregut.

Shaun Rein, drejtor menaxhues i Grupit të Kërkimeve të Tregut në Kinë, me qendër në Shangai (CMR), thotë se platforma e Amazonit në Kinë nuk mundi të mbijetonte sepse nuk kishte një ekip menaxhimi të fortë dhe të qëndrueshëm. Ai nuk mendon se Amazoni u pengua nga politikat e qeverisë.

"Nuk mendoj se është vetëm nproblemi i proteksionizmit qeveritar", tha ai duke shtuar se "drejtuesit e Amazon nuk kishin marrëdhënien e duhur në Kinë dhe nuk ishin në gjendje të ndërtonin ekosistemin e duhur për njerëzit që të shisnin produktet e tyre në Amazon”.

Sigurimi i një numri të madh të shitësve lokalë është vendimtarë për një platformë të tregëtisë online për të ofruar mallra me çmime konkurruese dhe me shumëllojshmëri të mjaftueshme për konsumatorët.

Jacob Cooke, drejtor ekzekutiv i firmës konsulente Web Presence në Kinë, shpjegoi se Amazon nuk mund të konkuronte me një lojtar gjigant lokal si Alibaba.

"Alibaba ka përvojë në vend, kosto të ulëta që ua kalon konsumatorëve dhe njohuri unike të produkteve të falcifikuara. Përveç kësaj, ata kanë të dhëna tregu në Kinë që janë më të përpikta se ato të Amazonit ", tha ai.

Tregtia ndër-kufitare

Analistët thonë se Amazoni është përqendruar në tregtinë ndërkufitare, pasi e kupton se nuk mund të konkurrojë në mënyrë efektive në biznesin vendas të shitjes së mallrave kineze për klientët kinezë, që përbën pjesën më të madhe të aktivitetit të tregtisë elektronike.

"Besojmë se biznesi ndërkufitar i përshtatet Amazonit shumë më mirë, pasi modeli lokal plotësohet nga kompani të mëdha që operojnë me kufij shumë të ulët (pothuajse jo ekzistues) të fitimit", tha Cooke.

Dështimi

Bizneset e huaja në internet kanë shumë pak prezencë në Kinë, që ka numrin më të madh të përdoruesve të internetit në botë. Kjo është pjesërisht për shkak se një numër i madh kompanish me seli në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Google, YouTube dhe Twitter, janë të ndaluara, ndërkohë që kompanitë e tregtisë elektronike janë larguar. Largimi i Amazonit ndoshta do ta bëjë më të vështirë për kompanitë e tjera të huaja të shitjeve me pakicë të kenë sukses.

Markat amerikane dhe evropiane do të duhet të varen shumë nga kompanitë lokale të tregtisë elektronike si Alibaba dhe jd.com për të shitur produktet e tyre, thonë analistët. Edhe pse Amazoni do të vazhdojë të shesë mallra të prodhuara jashtë, prania e tij është e kufizuar në Kinë, sepse kompanitë vendase mbizotërojnë edhe tregtinë ndërkufitare.

"Për fat të keq, Alibaba është pothuajse monopol në disa mënyra dhe ata kanë shumë fuqi", tha Rein duke shtuar se, "drejtuesit e Alibabës kontrollojnë trafikun në mënyrë që të jenë në gjendje të detyrojnë markat perëndimore të ulin çmimin edhe nëse nuk duan ta bëjnë një gjë të tillë", tha Rein.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG