Lidhje

Paris, përleshje të protestuesve në ditën e 1 majit


Në Paris, policia u përplas me demostruesit gjatë tubimeve me rastin e 1 majit, ku morën pjesë mijëra njerëz.

Protestuesit hodhën gurë dhe shishe me benzinë në drejtim të policisë si dhe thyen xhamat e një furgoni.

Policia përdori gaz lotsjellës për të kontrolluar turmën.

Autoritetet franceze njoftuan masa të rrepta sigurie për demonstratat e 1 majit. Ministri i brendshëm tha se ekzistonte rreziku që "aktivistë radikalë" të mund t’u bashkoheshin protestuesve antiqeveritarë, të ashtuquajtur “jelekët e verdhë” si dhe punëtorëve të sindikatave në rrugët e Parisit dhe në të gjithë vendin.

Për demonstrimet e 1 majit pritej të mobilizoheshin më shumë se 7,400 policë, të ndihmuar nga dronët për ta kontrolluar më mirë situatën dhe për të shmangur dhunën e mundshme.

Qindra biznese u mbyllën para kohe, pas vandalizmit të një numri dyqanesh vitin e kaluar.

Marshime me rastin e 1 majit pati edhe në qytete të tjera franceze si dhe kudo në Evropë.

Një grup i njohur si OVD-Info, i cili vëzhgon arrestimet politike, njofton se më shumë se 100 vetë u arrestuan në mitingjet e 1 majit në Rusi.

Të paktën 68 persona njoftohet të jenë arrestuar në qytetin e dytë më të madh të Rusisë, Shën Petersburg, ku Associated Press njoftoi për arrestimin dhe më pas lirimin e një zyrtari publik.

Zyrtari Maxim Resnik u tha gazetarëve se policia nuk jepte arsye për arrestimin e tij apo atë të shokëve të tij.

Ndërsa Franca dhe Rusia ishin skena të disa prej protestave më të rëndësishme, demonstrime pati edhe në Kopenhagë të Danimarkës, Goteborg të Suedisë dhe në Berlin të Gjermanisë.

Më parë gjatë ditës, pati tubime në Afrikën e Jugut, si dhe në Filipine, Malajzi, Kamboxhia dhe Mianmar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG