Lidhje

Shqipëri, opozita bllokon rrugët në 12 qarqe


Në Shqipëri opozita përmbylli sot në mbrëmje një tjetër protestë, e cila, sikundër ndodhi dhe javën e shkuar, çoi në bllokimin e akseve kryesore rrugore kombëtare të vendit. Por ndërsa një javë më parë, grumbullimet e mbështetësve të opozitës, ishin vetëm në 5 pika kyçe që paralizuan qarkullimin në akset që nga Veriu, Jugu dhe Juglindja e vendit, çonin drejt Tiranës, sot ato u shtrinë në të 12 qarqet e vendit. Në disa raste, mbështetësit e opozitës kanë djegur dhe goma në vendet ku kanë bllokuar qarkullimin.

Shqipëri, opozita bllokon rrugët në 12 qarqe
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Nga Elbasani, kryetari demokrat deklaroi se “mosbindja civile ishte akti civil e kurajoz i qytetarëve të bashkuar, për të treguar përmes bashkimit dhe qëndresës tonë se nuk ka asnjë hap pas në beteëjn tonë për demokraci e liri”. Në fjalën e tij, zoti Basha përsëriti dhe një herë se opozita nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve vendore, të cilat sipas tij do të shtyhen, ndërkohë që vendi do të shkojë, siç tha ai, drejt zgjedhjeve të parakohshme. “Më 30 Qershor, nuk do të lejojmë më krimin të diktojë zgjedhjet në Shqipëri, nuk do lejojmë farsë zgjedhore. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë e nuk do ketë. 30 Qershori, do të jetë dita e bashkimit të gjithë shqiptarëve për të caktuar një datë tjetër për zgjedhjet vendore e zgjedhjet e parakohshme parlamentare nën kujdesin e një qeverie tranzitore pa Ramën kryeministër”, u shpreh kryetari demokrat, sipas të cilit largimi i kryeministrit “është vetëm çështje kohe”.

Nga ana e saj shumica po ashtu këmbëngul se nuk ka arsye të tërhiqet, dhe se zgjedhjet vendore do të mbahen në datën e caktuar. Edhe sot kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në grupin parlamentar socialist u shpreh se opozitës “i gënjen mëndja se do të ndalojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhjet vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta e kësaj Republike, sepse ende kujtojnë, me sa duket, se do të gjejnë budallenj që të shkojnë me këmbët e tyre burgjeve, pasi të sulmojnë kutitë e votimit për llogari të gramafonit të Lulit dhe filxhanit të Monikës”.

Kryeministri tha më tej se “në demokraci askush është i detyruar të hyjë me zor në zgjedhje. Kushdo është i lirë të vendosë të hyjë, apo të mos hyjë në zgjedhje dhe s’është as detyrë e qeverisë të fusë me zor në zgjedhje partitë që s’duan të votohen nga populli, as e drejtë e shumicës qeverisëse të shtyjë zgjedhjet përtej afateve kushtetuese, pse disa parti nuk duan të hyjnë në zgjedhje. Ndërsa për parti apo individë që i japin vetes të drejta që s’jua njeh as Kushtetuta, as ligji, për t’i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjit, duke u kthyer në zjarrvënës të zgjedhjeve, ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ai duke shtuar se “është e nevojshme që ne ta informojmë në vijimësi publikun për përmbajtjen e këtij kapitulli, për t’i dalë borxhi deri në fund, jo ish ligjvënësve që e kanë votuar çdo nen të kapitullit dhe i njohin shumë mirë pasojat e çdo akti kriminal ndaj zgjedhjeve, por për t’i dalë borxhi kujtdo që mund të bjerë pre e padijes së vet, duke shkuar pas berihait ditën e zgjedhjeve”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG