Lidhje

Julian Assange përpara një beteje të gjatë ligjore


Themeluesi i WikiLeaks-it Julian Assange ka nisur atë që pritet të jetë një betejë e ashpër dhe e gjatë kundër ekstradimit në Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet për vjedhjen dhe publikimin e dokumenteve sekrete të qeverisë amerikane. Zoti Assange i tha një gjykate britanike se nuk dëshiron të ekstradohet thjesht për faktin se "bëri gazetari, falë së cilës fitoi shumë çmime e ka mbrojtur njerëz". Ai po vuan një dënim prej 50 javësh për shkelje të lirisë me kusht duke u strehuar në Ambasadën e Ekuadorit në vitin 2012. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke njofton.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë ekstradimin e gazetarit dhe informatorit australian, i cili u arrestua më 11 prill, pasi kaloi shtatë vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Ai përballet me akuza për komplot në bashkëpunim me ish-analisten e zbulimit të ushtrisë amerikane Chelsea Manning me qëllimin për të shtënë në dorë me qindra mijëra dokumente të klasifikuara për luftën në Irak si dhe korrespondencën diplomatike amerikane. Ai ishte strehuar në ambasadë për të shmangur ekstradimin në Suedi lidhur me akuza për përdhunim. Por zoti Assange dhe avokatët e tij argumentojnë se kjo ishte pjesë e planit për ta çuar atë në Shtetet e Bashkuara, ku sipas tyre ndaj Julian Assange-t nuk do të zhvillohet një proces i drejtë gjyqësor.

"Ne e dimë mirë se dënimi që i është dhënë është një mënyrë për ta mbajtur atë në pritje deri sa të ekstradohet në SHBA", thotë Juan Branco, avokat për Julian Assange në Francë

Kritikët e zotit Assange e kanë quajtur atë të paskrupullt dhe narcisist. Diplomatët ekuadorianë thonë se ai ka shkelur kushtet e azilit. Sipas një zyrtari britanik Ekuadori gaboi që në krye të herës, duke i dhënë atij azil.

"Ai po kalbej aty falë zgjedhjes së tij. Është për të ardhur keq që qeveria e mëparshme ekuadoriane i dha atij azil. Ai qe në gjendje të hynte, por kurrë nuk mendoi se si do të dilte", thotë Alan Duncan, ministri Britanik i Shtetit për Evropën dhe Amerikën.

Zyrtari britanik thotë se gjykatat dhe jo qeveria do të vendosin nëse Julian Assange do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara.

Por për këtë çështje nuk pritet ndonjë vendim i shpejtë. Seanca që nisi të enjten do të vazhdojë më 30 maj dhe 12 qershor.

"Dhe i gjithë procesi ndoshta nuk do të vijojë me shpejtësi për disa muaj, deri në seancën e plotë lidhur me ekstradimin. Ndoshta do të mund të duhet një vit apo dy përpara se të mësojmë nëse ai do të jetë në gjendje të shmangë vajtjen në Shtetet e Bashkuara", thotë Greg Katz, gazetar i Associated Press.

Analistët pajtohen se rezultati i rastit Assange mund të ketë pasoja afatgjata për gazetarët. Këtë javë në seancën e parë dëgjimore lidhur me ekstradimin jashtë gjykatës në Londër u mblodhën mbështetës të themeluesit të Wikileaks-it. Avokatët e tij do të përpiqen të vërtetojnë se ai ushtroi të drejtën e lirisë së fjalës kur botoi me mijëra dokumente të klasifikuara të qeverisë amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG