Lidhje

Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln drejt Lindjes së Mesme


I

Shtetet e Bashkuara e kanë përshpejtuar arritjen e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln me një flotë avionësh luftarakë në Detin Arabik, pas shqetësimeve se Irani mund të jetë duke planifikuar një sulm kundër objektivave amerikane, ose të aleatëve.

"Kemi parë aktivitete që na bën të besojmë se mund të jetë duke ndodhur një përshkallëzim të situatët, duke i dhënë mundësi Presidentit që të ketë një numër opsionesh në rast se ndodh diçka", - u tha gazetarëve të hënën Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Një gazetar izraelit tha se agjencia e sigurisë Mossad i kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara se elementë iranianë mund të jenë duke u përgatitur të kryejnë sulme ndaj objektivave amerikane dhe aleate në rajonin e Gjirit Persik.

Sekretari Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan tha se: "Ne i bëjmë thirrje regjimit iranian të ndalë provokacionet. Ne do ta bëjmë përgjegjës regjimin e Iranit për çdo sulm ndaj forcave dhe interesave amerikane.”

Shtetet e Bashkuara e dërguan aeroplanembajtësen USS Abraham Lincoln me një flotë avionësh luftarakë dhe bombarduesish në Lindjen e Mesme, si përgjigje ndaj atyre që Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha se janë "një numër treguesish shqetësues dhe paralajmëruesish që po shkallëzohen dhe që lidhen me Iranin.

Në një deklaratë të dielën në mbrëmje, zoti Bolton tha se këto veprime po merren për të "dërguar një mesazh të qartë dhe të pagabueshëm ndaj regjimit iranian, se çdo sulm ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara apo ndaj atyre të aleatëve tanë do të përballen me forcë të fuqishme ".

Përveç transportuesit USS Abraham Lincoln, në grupin e mjeteve ushtarake përfshihen avionë luftarakë, helikopterë, destrojerë dhe më shumë se 6,000 marinarë të cilët u nisën nga Shtetet e Bashkuara në fillim të prillit.

Aeroplanmbajtësja ndodhej në Detin Adriatik që nga data 1 maj, kur Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, e vizitoi anijen 333 metra të gjatë.

Dislokimi i flotës së avionëve luftarakë ishte planifikuar prej disa kohësh, tha të hënën shefi i operacioneve detare, admirali John Richardson.

Duke folur gjatë vizitës në një ekspozitë detare në shtetin e Merilendit, Richardson, në përgjigje të një pyetjeje, e karakterizoi deklaratën e Boltonit si një "demonstrim të madh" të aftësisë së marinës për të reaguar menjëherë ndaj ndryshimit të situatave të sigurisë.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, duke folur për gazetarët që udhëtonin me të për në Evropë, nuk pranoi të komentonte për atë që e detyroi Washingtonin të merrte këtë vendim, por konfirmoi se ai ishte nën shqyrtim për një farë kohe dhe se administrata ka "një arsye bindëse" që dëshiron t’i komunikojë në mënyrë të qartë Iranit se si do t'i përgjigjej veprimeve iraniane.

Administrata e Trump ka punuar për atë që e quan një "fushatë maksimale presioni" kundër Iranit, në mënyrë që ky vend të ndryshojë sjelljen, siç është sponsorizimi i grupeve terroriste dhe atë që Shtëpia e Bardhë pohon është një program raketash balistike që kërcënon Shtetet e Bashkuara.

Në përgjigje të emërtimit nga SHBA të Rojes Revolucionare Islamike një grup terrorist, Irani u përgjigj duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë një mbështetës shtetëror i terrorizmit dhe i forcave të tij në Lindjen e Mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG