Lidhje

Meng Wang Xhou e kompanisë Huawei del para një gjykate kanadeze.


Zyrtarja më e lartë financiare e gjigandit kinez të teknologjisë Huawei del të mërkurën para një gjykate kanadeze, për një senacë dëgjimore të re lidhur me ekstradimin e saj të mundshëm në Shtetet e Bashkuara.

Ajo kërkohet në SHBA nën akuzat për shkeljen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit. Meng Wang Xhou ka qenë e lirë kundrejt një obligacioni prej 7 milionë dollarësh që nga arrestimi në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të autoriteteve amerikane.

Ajo akuzohet për mashtrime bankare, manipulime me transaksione financiare elektronike dhe plane për komplot.

Meng, vajza e themeluesit të kompanisë Huawei Ren Xhëng fei, i ka mohuar akuzat dhe e ka paditur qeverinë kanadeze, agjencinë e saj të sigurisë kufitare dhe forcën policore kombëtare për shkelje të të drejtave.

Në aktpadi thuhet se Meng u arrestua, u kontrollua dhe u mor me pyetje për orë të tëra para se t'i thuhej se ishte nën arrest dhe i lejohej të kërkonte mbrojtje ligjore.

Avokatët e saj kanë argumentuar se akuzat janë të motivuara politikisht dhe janë të lidhura me negociatat e tanishme midis Uashingtonit dhe Pekinit për të zgjidhur luftën tregtare në shkallëzim midis dy superfuqive ekonomike, të nxitura nga shqetësimet e SHBA lidhur me tregtinë, investimet dhe politikat e të drejtave të pronësisë intelektuale të Kinës.

Zyrtarët amerikanë kanë hedhur poshtë se çështja e ekstradimit të Meng Wang Xhout lidhet me bisedimet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Pekini i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Kanadasë për lirimin e Meng Wang Xhout, por Kanadaja ka refuzuar, duke thënë se rasti i saj është një çështje ligjore dhe jo politike.

Që nga arrestimi i Meng Wang Xhout, në Kinë janë arrestuar dy shtetas kanadezë dhe një të treti që ndodhej tashmë në një burg kinez i akuzuar për drogë, ja ndryshuan dënimin nga 15 vjet burgim, në dënim me vdekje. Mund të kalojnë muaj, madje edhe vite, përpara se Meng Wang Xhou, e cila është nën arrest shtëpie në Kanada, të dërgohet ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara, pasi sistemi gjyqësor kanadez lejon që shumë vendime ligjore të apelohen.

Kompania Huawei ka ngritur një padi që sfidon legjitimitetin e një ligji të miratuar nga Kongresi i SHBA vitin e kaluar, që i ndalon agjencitë qeveritare dhe kontraktorët për të bërë biznes me gjigantin e teknologjisë.

Kompania Huawei thotë se ky ligj është "jokushtetues", për shkak se ai e veçon kompaninë me qëllimin për ta ndëshkuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG