Agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve e Iranit “Tasnim” ka cituar një komandant të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit të ketë thënë se Teherani nuk do të negociojë me Shtetet e Bashkuara. Deklarata pason ftesën e tërthortë të presidentit amerikan Donald Trump drejtuar udhëheqësve iranianë për ta telefonuar.
Zoti Trump bëri disa herë thirrje të enjten për negociata me Iranin. Ai u tha gazetarëve: "Ajo që unë do të doja për Iranin, është që ata të më telefonojnë", duke ju referuar zyrtarëve iranianë.
Por agjencia Tasnim të premten citoi gjeneralin Yadollah Javani të thoshte se "nuk do të ketë negociata me Amerikën". Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk do të guxonin të merrnin veprime ushtarake kundër Iranit.
Të enjten, grupi luftarak i aeroplanmajëses USS Abraham Lincoln dhe katër avionë bombardues B-52 arritën në rajonin e Lindjes së Mesme pas shqetësimeve se Irani mund të planifikonte një sulm kundër objektivave amerikanë.
Një zëdhënës i Komandës Qendrore amerikane i tha Zërit të Amerikës se grupi luftarak mbërriti në rajon të enjten përmes Kanalit të Suezit, ndërsa bombarduesit mbërritën aty të mërkurën dhe të enjten.
Presidenti Trump foli për një përforcim ushtarak të rajonit:
“Kemi informacione që janë shumë kërcënuese dhe ndaj duhet të kemi siguri të madhe për vendin si dhe shumë vende të tjera”, tha ai.
Ushtria amerikane mbërriti në Lindjen e Mesme pasi udhëheqësit evropianë kritikuan kërcënimin e Iranit se nuk do t’i përmbahet disa pikave të marrëveshjes bërthamore të vitin 2015, një hap që mund të shkelte një marrëveshje botërore të rëndësishme.
Pavarësisht tërheqjes nga marrëveshja të Uashingtonit, Presidenti Trump njoftoi sanksione të reja të mërkurën ndaj eksporteve iraniane të metaleve, që janë burimi kryesor i të ardhurave për vendin e Azisë perëndimore.
Sanksionet kanë krijuar vështirësi për aleatët europianë të Uashingtonit, të cilët kanë thënë se ata ndajnë të njëjtin shqetësim rreth sjelljes së Iranit, por besojnë se strategjia e zotit Trump ka gjasa të dështojë.
Facebook Forum