Lidhje

Protesta e opozitës, SHBA: Refuzoni dhunën


Në Shqipëri ambasada e Shteteve të Bashkuara i bëri sot thirrje mbështetësve të opozitës që në protestën e thirrur nesër prej saj në Tiranë, “të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive”

Protesta e nesërme e opozitës është e 12-ta që prej muajit shkurt kur ajo u largua nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të saj. Shpesh në protestat e organizuara në Tiranë janë rregjistruar përplasje të dhunshme me policinë e cila ka përdorur dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë manifestuesit.

Në deklaratën e saj ambasada amerikane thekson se “përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës”, nënvizon deklarata.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë zgjedhje të parakohshme, ndërsa ka parlajmëruar se nuk do të lejojë organizimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Nga ana e saj shumica ka përsëritur se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve vendore dhe se ato do mbahen në datën e caktuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG