Lidhje

Protesta e së shtunës, SHBA: Basha e Kryemadhi të dënojnë dhunën


Në Shqipëri, ambasada amerikane i bëri sot thirrje kryetarit të Partisë Demokratike dhe drejtueses së Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi të dënojnë dhunën në protestën e së shtunës dhe të sigurojnë se protestat e ardhshme do të jenë paqësore

Deklarata e ambasadës amerikane u bë sot pasdite para nisjes së protestës tjetër që opozita ka paralajmëruar për sonte në mbrëmje në Tiranë. Ambasada thekson se “forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik” dhe se ato dënojnë “dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike”, thekson deklarata përmes së cilës i kërkohet drejtuesve të opozitës që “të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë”.

Ambasada nënvizon gjithashtu se “edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve”. Sipas ambasadës amerikane “protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik”, përfundon deklarata.

Në linjë me qëndrimin e ambasadës amerikane, dhe deklaratat e ambasadave të disa prej vendeve kyçe të Bashkimit europian.

OSBE dënon dhunën në Shqipëri

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) dënoi të hënën me forcë dhunën e ushtruar nga protestuesit në kryeqytetin shqiptar gjatë fundjavës.

Në një deklaratë të përbashkët të Kryetarit të Radhës së OSBE-së dhe Ministër i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajcak, të Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së Thomas Greminger, të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së George Tsereteli dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Roberto Montella, thuhet se trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik.

Zyrtarët e lartë të OSBE-së dënojnë gjithashtu me forcë edhe kërcënimet dhe përpjekjet për frikësim ndaj Kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe ndaj OSBE-së në përgjithësi. Deklarata u bën gjithashtu thirrje forcave të policisë që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Drejtuesit e OSBE-së thonë se një zgjatje e mëtejshme e krizës do të dëmtonte prioritetet e politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ata shprehen se ka ardhur koha për krijimin e një platforme vendore të dialogut, ku do të përfshiheshin të gjitha palët, partitë politike, shoqëria civile dhe akademikët, për të dalë mbi dallimet dhe për të punuar së bashku për interesin më të mirë të Shqipërisë.

Fleckenstein - Kukan: dialogu rruga e vetme

Ndërsa dy eurodeputetët, Knut Fleckenstein, relator për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe Eduard Kukan Kryetar i Grupit të Punës për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për Punët e Jashtme iu drejtuan po pasdite me një letër qtetarëve shqiptarë. Ata shprehen se “me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj.

E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm”, thekson letra duke shtuar se “Ne, deputetët e Parlamentit Evropian, anëtare te familjeve të ndryshme politike evropiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll”.

Fleckenstein dhe Kukan theksojnë se “Si deputetë të Parlamentit Evropian, ne nuk synojmë interferimin në ngjarjet ne vend. Duam thjesht t’ju kujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta – janë rruga e vetme përmes të cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhë sfidat serioze që përjeton. Është koha e duhur që t’i dërgoni botës një mesazh të qartë se Shqipëria dhe shqiptarët janë të aftë për t'i zgjidhur konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike”, përfundon letra e dy eurodeputetëve

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG