Në Shqipëri president Ilir Meta i bëri sot sërish thirrje palëve politike që të reflektojnë me urgjencë për të shkuar drejt një zgjidhjeje të krizës politike që po kalon vendi.
Presidenti Meta i cili vizitoi sot Skraparin në çelje të sezonit turistik, u shpreh se kriza po sjell pasoja të rënda edhe në ekonomi, dhe se sipas tij efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm dhe operatorët e cilësojnë situatën dramatike, u shpreh ai.
Por për momentin nuk shihet asnjë shenjë lëshmi nga palët. Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se ishte i gatshëm për dialog, por jo për të negociuar datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, ndërsa theksoi se një Qeveri nuk mund të rrëzohet me kapsolla e bomba Molotov, duke ju referuar protestave të dhunshme të opozitës.
Kjo e fundit nga ana saj vijon të përsërisë se nuk ka kthim pas dhe se kushti i patjetërsueshëm i një zgjidhjeje politike është largimi i kryeministrit Edi Rama. Edhe sot në përfundim të një takimi në selinë e Partisë Demokratike, aleatët e kësaj të fundit, ritheksuan se protestat do të vijojnë dhe se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit.
Facebook Forum