Lidhje

Tensionet SHBA-Iran sjellin në mendje fantazmat e luftës në Irak


Presidenti Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë të enjten homologun zvicerian Ueli Maurer për një takim me dyer të mbyllura, për të cilin shumë analistë besojnë se kishte lidhje me përshkallëzimin e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se Presidenti Trump shprehu "mirënjohjen e tij për rolin e Zvicrës në ndërmjetësimin ndërkombëtar dhe marrëdhëniet

diplomatike në emër të Shteteve të Bashkuara", por nuk dha hollësi të tjera. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif vizitoi aleatin e Shteteve të Bashkuara, Japoninë, ku akuzoi Shtetet e Bashkuara për "përshkallëzimin" e tensioneve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke njofton se ligjvënësit amerikanë shprehën të enjten shqetësimet e tyre rreth tensioneve me Teheranin.

Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar luftanije dhe avionë luftarakë në Gjirin Persik si dhe trupa në vendet e rajonit. Presidenti Trump ka paralajmëruar Teheranin kundër çdo veprimi armiqësor.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders nuk dha hollësi rreth takimit të Presidentit Trump me homologun e tij zviceran, por tha se Presidenti ka qënë gjithmonë i qartë në lidhje me mesazhin e tij për Iranin.

"Do të donim të shihnim një ndryshim të sjelljes së iranianëve. Ne do të vazhdojmë presionin maksimal dhe, siç ka thënë Presidenti, nëse ata ndërmarrin veprime, atyre nuk do t’u pëlqente përgjigja që do të merrnin".

Kevin McCarthy, udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se administrata ka dëshmi të sjelljeve agresive të Iranit.

"Kemi parë se çfarë u ka ndodhur disa anijeve të Arabisë Saudite që përdoren për transportimin e naftës në Lindjen e Mesme. Kemi njohuri për përdorjen e dronëve për të sulmuar tubacionet e gazit. Ne e dimë retorikën që ka përdorur Irani. Tani po shohim që administrata po tregohet e kujdesshme duke tërhequr amerikanët nga Iraku, nga rreziku".

Shumë amerikanë kujtojnë retorikën e ngjashme që çoi në luftën e vitit 2003 në Irak. Senatori Bob Menendez, një demokrat nga Nju Xhërsi, akuzoi administratën për fshehje të informacionit të rëndësishëm.

"Ne nuk kemi nevojë për një tjetër moment si ai me armët e shkatërrimit në masë të Irakut, ku ne ndërhymë ushtarakisht bazuar në informacion të pavërtetë, që është një nga gabimet më të mëdha që kemi bërë në politikën e jashtme. Pra nuk mund të marrim vendime inteligjente për politikën e jashtme dhe të sigurisë kombëtare në mungesë të informacionit dhe të shërbimeve të zbulimit që na tregojnë se cilat janë rreziqet dhe nivelin e tyre".

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi ia kujtoi Presidentit Trump se ai e kishte kundërshtuar luftën në Irak.

"Një nga pikat në të cilat pajtohem me Presidentin është kundërshtimi i luftës në Irak dhe shpresoj që ky qëndrim i njëjtë do të qëndrojë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, edhe pse disa nga mbështetësit e tij po bëjnë zhurmë për luftë."

Ministri i jashtëm i Iranit ishte në Tokio të enjten, ku premtoi të punonte me Japoninë për të ruajtur stabilitetin në Gjirin Persik. Ai tha se Teherani ka treguar "përmbajtje maksimale" që nga tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG