Lidhje

Nju Jork, një lagje eksperimentale për rrjetin 5G


Gjenerata e pestë e rrjeteve të komunikimit celular, e njohur ndryshe si “5G”, premton lidhje tepër të shpejta dhe më shumë qëndrueshmëri. Por, ndërtimi dhe vendosja në funksionim i këtyre rrjeteve nuk mund të ndodhë brenda natës. Vetëm disa qytete amerikane kanë tashmë të instaluar rrjetin 5G. Qyteti i Nju Jorkut po ndërton një rrjet eksperimental që teston limitet e rrjetit 5G dhe madje edhe më tej.

Në një botë 5G, makinat vetëdrejtohen dhe në mbledhje marrin pjesë hologramet tona. Por, që të arrihet ky realitet virtual nevojitet më shumë punë përgatitore dhe testim të sistemeve.

Për këtë qëllim, shkencëtarët po ndërtojnë në Nju Jork një rrjet eksperimental të quajtur COSMOS.

“COSMOS është një projekt i përbashkët i Universiteteve Rutgers, Kolumbia, Universitetit të Nju Jorkut, si dhe disa partnerëve, si qyteti i Nju Jorkut, kompania Silicon Harlem, kompania IBM etj.”, thotë Gil Zussman, profesor i asociuar në Universitetin e Kolumbias.

Nën mbikqyrjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, COSMOS është një plaftformë testimi për rrjetin 5G dhe për gjeneratat e ardhshme të rrjeteve të komunikimit.

“Ideja është që shkencëtarët e industrisë dhe të universiteteve mund të hyjnë në rrjet nga zyra e tyre dhe të zhvillojnë testimet nga larg. Pra, çdo ide të re që mund të kenë, për rrjetin 5G apo rrjetet që do të pasojnë, ata munden t’i testojnë nëpërmjet kësaj platforme”, thotë zoti Zussman.

Tipari unikal i platformës COSMOS është se do të pasqyrojë realitetin e jetës urbane. Një hapësirë prej 1.6 km katrorë në Harlemin Perëndimor do të transformohet në një qytet laborator, të mbushur me antena valësh dhe pika ndërlidhëse.

“Ndër sfidat e 5G-së është se kjo teknologji po bëhet e disponueshme, ndërkohë që nuk dimë ende se për cilat funksione mund të përdoret. COSMOS do të na ndihmojë t’i eksplorojmë mundësitë dhe vlerat e rrjetit 5G, dhe të mësojmë se si do t’i shërbejë zgjidhjes së problemeve të njujorkezëve”, thotë Joshua Breitbart, nëndrejtor për teknologjinë në bashkinë e Nju Jorkut.

Ekipi i COSMOS-it ka hartuar një program fillestar që do t’u shërbejë studentëve dhe mësuesve.

“Një nxënës i shkollës së mesme mund të sjellë ide të reja për komunikimin në distancë apo edhe aplikacione të reja. Pra, mund të kesh kompaninë IBM dhe një nxënës shkolle që janë duke eksperimentuar në të njëjtën platformë. Kjo ofron qasje dhe mundësi që nuk kanë ekzistuar më parë”, thotë Clayton Banks, drejtor i kompanisë “Silicon Harlem”.

“Tashmë kemi mësues që janë të informuar për komunikimin me valë dhe janë shndërruar në mësues më të mirë të matematikës apo shkencave”, thotë Bruce Lincoln, shef i informacionit në kompaninë “Silicon Harlem”.

Kur platforma është vetë komuniteti, mundësitë janë të pakufizuara, ashtu siç janë rrjetet e reja të komunikimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG