Lidhje

Rama ftesë Bashës: Dialog pa kushte


Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ju drejtua sot pasdite, përmes një letre të hapur, kryetarit demokrat Lulzim Basha, duke e ftuar atë për t’u ulur së bashku në një dialog pa kushte

Që në krye të letrës së tij të shkurtër, të bërë publike përmes Facebook-ut, zoti Rama thekson se “dialogu është e vetmja rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve”.

Më pas ai bën menjëherë të qartë se nuk mirëkupton zgjedhjet politike të opozitës, vendimin e saj për të djegur mandatet apo dhe “bojkotin e paprecendentë të zgjedhjeve dhe shantazhin mbi vendin e mbi qytetarët se opozita nuk do t’i lejojë ata të votojnë në 30 qershor”, shkruan kryeministri.

Zoti Rama thekson se pavarësisht kësaj, asgjë nuk e pengon që të ftojë drejtuesin e opozitës për t’u ulur në Tryezën e dialogut pa humbur kohë. Dialogun –thekson zoti Rama - s’mund ta pengojnë as pozicioni, sipas tij, ekstrem i opozitës në lidhje me zgjedhjet vendore, dhe as pamundësia e tij, po ashtu ekstreme – thekson ai - në lidhje me datën kushtetuese të zgjedhjeve, të cilat vë në dukje Kryeministri, opozita mund t’i vështirësojë por nuk ka asnjë shans që t’i ndalojë të zhvillohen. Sipas zotit Rama, “jeta politike nuk mbaron në 30 Qershor” , prandaj ai e fton zotin Basha “në një dialog pa kushte, në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar”, shkruan kryeministri duke u shprehur megjithatë, se ka shumë pak shpresë se ftesa e tij do të merret parasysh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG