Lidhje

Ftesa e dytë e Ramës, Basha: Dialog vetëm me popullin


Kryeministri Edi Rama ju drejtua sot me një tjetër letër kryetarit demokrat Lulzim Basha duke e ftuar sërish për të nisur pa humbur kohë një dialog pa kushte. Ndërsa një ditë më parë, ndonëse pa ju referuar, ftesës së kryeministrit, zoti Basha kishte përsëritur akuzat ndaj drejtuesit të Qeverisë dhe angazhimin se nuk do të lejohet që më 30 Qershor të zhvillohet një proces, sipas tij “fallco”, sot ai ju përgjigj drejtpërdrejt letrës së zotit Rama duke theksuar se i vetmi dialog ku ai do të marrë pjesë do të jetë dialogu me qytetarët

Ftesa e dytë e Ramës, Basha: Dialog vetëm me popullin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Në letrën e tij të dytë, drejtuar kryetarit demokrat Lulzim Basha, zoti Rama shprehet që në fillim se nuk është habitur “me refuzimin brutal të Dialogut”, duke ju referuar kështu deklaratave të zotit Basha gjatë takimit dje në mbrëmje me përkrahësit e opozitës në Durrës. “Edi Rama na propozon që me 30 qershor ne të bëjmë sehir, teksa ai bën një grusht shteti, një proces zgjedhor fallco. Na propozon një proces të dalë tërësisht jashtë rregullave të Kodit Zgjedhor, në kundërshtim flagrant me ligjin, në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe mbi të gjitha të kriminalizuara edhe më shumë sesa zgjedhjet e 2017-s dhe zgjedhjet e 2015-s. Na propozon, pra, kapitullimin na propozon që ne të ulim kokën e të pranojmë një tjetër proces fallc zgjedhor, kësaj radhe edhe pa garë”, u shpreh zoti Basha, ndërsa ritheksoi dhe një herë se përballë qëndrimit të kryeministrit “është alternativa e përballjes në çdo qytet, në çdo shesh, në çdo rrugë, çdo ditë, çdo javë, dhe nëse tenton më 30 qershor zgjedhje fallco, zgjedhje me krimin, zgjedhje me hajdutët, përballje në çdo qendër votimi, në çdo kuti votimi”.

Në letrën e tij sot, kryeministri Edi Rama, duke ju drejtuar zoti Basha shprehet se “për fat të mirë Ju s’jeni vetëm në këtë vend dhe as ata që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe, gjithnjë e më të paktë, nuk janë asfare populli i këtij vendi, i cili lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur, nuk i ka marrë borxh nga Ju apo nga unë dhe po ashtu, nuk Ju’a ka borxh as Juve, as mua e askujt në botë, mosmbajtjen në kohë e në paqe të zgjedhjeve të radhës”.

Kryeministri thekson më tej se “fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të”. Zoti Rama vijon më tej duke përsëritur ftesën për dialog që “të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në asfaltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj”. Duke vënë në dukje se ai nuk është i interesuar për fatin politik të Partisë Demokratike, zoti Rama shprehet se “ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë”.

Kryeministri e mbyll letrën me zotimin se “sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor”.

Në përgjigjen e tij, përmes një letre drejtuar popullit, zoti Basha nga ana e tij shkruan se “në të vërtetë demokracia e kërkon që pushteti të burojë nga populli e të dialogojë me popullin, demokracia kërkon që mosmarrëveshjet që nuk i zgjidh dot politika t’i zgjidhë populli, me votë. Por për Edi Ramën arti i qeverisjes demokratike është i huaj, ai është artist në artin e mashtrimit”, shprehet zoti Basha sipas të cilit “sikur Edi Rama të kishte qoftë edhe një fije respekt dhe vëmendje për popullin, sikur tek ai të kishte vetëm një fije vetëdije demokratike, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit”, duke renditur më pas një mori trastesh pas të cilave sipas tij, kryeministri do të duhej të ishte larguar nga detyra.

Në letrën e tij, zoti Basha vë në dukje se “vendi ynë ka shumë plagë të thella, të cilat duan ide, vullnet dhe punë të shërohen. Sot, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë politik, ekonomik e shoqëror. Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve, para së gjithash ne politikanëve. Për këto sfida ne kemi filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës. Ky është i vetmi dialog që ndryshon Shqipërinë dhe i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë”, thekson kryetari demokrat duke shtuar se “qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit”, shkruan zoti Basha duke e mbyllur letrën me një ftesë drejtuar popullit “që të bashkohemi të gjithë në protestat tona për largimin e tij, dhe në dialogun kombëtar për ndryshimin e vërtetë që duhet të sjellim për garantuar të ardhmen Europiane të Shqipërisë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG