Lidhje

Fluturimi i nderit i çon veteranët amerikan në kryeqytetin e kombit


Organizata jo-qeveritare “Rrjeti i fluturimeve të nderit”, çdo vit u mundëson veteranëve amerikanë një udhëtim falas në kryeqytetin e vendit. Programi që kishte nisur para një dekade, u jep rast atyre të shohin memorialet e luftës në Uashington. Deri sot, më shumë se 160 mijë veteranë e kanë kryer këtë udhëtim, ndërkohë që shumë të tjerë presin radhën:

“Muajin e shkuar më njoftuan se jam përzgjedhur për fluturimin e kësaj jave”

“Jo se e meritoj aq shumë nderin… Por jam i lumtur që m’u mundësua të respektoj personat që ishin atje dhe u nderuan.”

“Unë po mbaja frymën nga dëshira që të përzgjedhesha! Dhe më duket se ia dola.”

Kështu e shprehin gëzimin këta veteranë amerikanë, një ditë para se të marrin udhën drejt Uashingtonit, për të vizituar memorialet kombëtare të luftërave.

Të shoqëruar nga vullnetarë dhe familjarë, ata përcillen nga Florida me cerenomi nderi, për të nisur atë njihet si “fluturim i nderit”.

“Ne jemi një nga 135 qendrat në Amerikë. Ne realizojmë shtatë fluturime në vit – në secilin prej tyre shkojnë 25 veteranë, 25 shoqërues dhe 6 anëtarë të stafit.”

Pra, secili veteran ka një shoqërues. Pjesëmarrja është vullnetare dhe kushton 400 dollarë. Një nga to është Peggie Gavigan.

“Bashkëshorti im është veteran dhe ishte pjesë e programit. Pas rrëfimeve mahnitëse të tij vendosa të bëhem shoqëruese”.

Nga viti 2005, kur filloi porgrami i fluturimit të nderit, 160 mijë veteranë amerikanë të luftës kanë qenë pjesë e tij.

“Gjithçka filloi nga një ndihës mjek në pension i forcave ajrore. Ai quhej Morse dhe punonte në Dajton Ohio. Pasi përfundoi memoriali i Luftës së Dytë Botërore, ai po bisedonte me veteranët dhe shumica e tyre i kishin thënë që nuk kishin mundësi të shkojnë atje. Ai ishte pjesë e Klubit Lokal të Fluturimit dhe u kërkoi anëtarëve tjerë nëse mund t’i çonin veteranët në Uashington DC. Në fluturimet e para, vetëm 12 veteranë udhëtonin drejt Uashingtonit me aeroplan privat,”- thotë Jame Hart.

Brenda një kohe të shkurtër, programi mori jehonë të madhe në Amerikë.

Veteranët vizitojnë monumentin përkujtimor të trupave detare, atë të Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Vietnamit dhe të Koresë.

“Më solli shumë kujtime. Nuk kishim rroba dimri në atë kohë dhe duhej të improvizonim,”- kujton Charles Smith.

Po atë ditë, veteranët kthehen në shtëpi, por me vete marrin shumë kujtime.

“Është dita më e mirë e jetës sime. Jam shumë i lumtur që jam kthyer në shtëpi dhe shoh këto përmendore të mrekullueshme.”

“Është diçka që doja ta bëja para se të vdisja.”

Programi vazhdon deri në muajin Nëntor. Më shumë se 20 mijë veteranë janë duke pritur radhën e tyre për udhëtimin e paharrueshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG