Lidhje

Turqi, mijëra të burgosur kurdë i japin fund grevës së urisë


Mijëra të burgosur në burgjet turke e përfunduan një grevë urie 200 ditore, pasi kreu i burgosur kryengritësve kurdë, Abdullah Oçalan u lejua të takohej me avokatët e tij për herë të parë në tetë vjet.

Abdullah Oçalan, kreu i Partisë Punëtore të Kurdistanit, PKK, që është shpallur e paligjshme në Turqi, u kërkoi mbështetësve të tij që t'i jepnin fund grevës në një kërkesë me shkrim të dorëzuar nga avokatët e tij të dielën.

"Shokët që u hodhët në grevë urie dhe agjërim vdekjeprurës, pres nga ju që t’i jepni fund grevës suaj në përputhje me deklaratën e avokatëve të mi. Mund ta them me lehtësi se protesta që keni bërë për mua është dëgjuar, unë ju përshëndes me dashuri dhe mirënjohje", thuhej në letrën e zotit Oçalan, të lexuar nga avokatja e tij, Newroz Uysal.

Një numër ligjvënësish kurdë iu bashkuan grevës së 3,000 të burgosurve dhe të tjerëve, derisa udhëheqësit të PKK-së Abdullah Oçalan t’i lejohej konsultimi me avokatin e tij në burgun e ishullit Imrali.

Një nga ligjvënësit që morën pjesë në grevë ishte Leyla Guven, e cila tha të dielën se greva e arriti qëllimin e saj.

"Unë do të doja të falënderojë të gjithë ata që kanë treguar interes që nga fillimi i grevës. Ishte një rezistencë kolektive. Me këtë rezistencë njerëzit dhe demokracia e Turqisë fitoi. Dëgjimi i zërit të Oçalanit është shumë i rëndësishëm për demokratizimin e Turqisë dhe për paqen në Lindjen e Mesme. Uroj që ne të kemi sukses pa asnjë humbje. Zemra jonë është e lenduar, por rezistenca jonë me të vërtetë fitoi".

Abdullah Oçalan, i cili u arrestua në Kenia më 1999, po vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

Partia Punëtore e Kurdistanit, PKK, po bën një luftë guerile për një shtet të pavarur kurd në Turqi.

Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur PKK-në një grup terrorist.

Disa analistë turq thonë se lejimi i Oçalanit për të parë avokatët e tij mund të jetë një shenjë që qeveria shpreson të fitojë mbështetjen e votuesve kurdë përpara zgjedhjeve për kryebashkiak të muajit të ardhshëm në Stamboll.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG