Lidhje

Bunch në krye të Institutit Smithsonian


Themeluesi i muzeumit më të ri në Uashington, i cili ka si temë historinë e afrikano-amerikanëve, është përzgjedhur të drejtojë të gjithë sistemin e muzeumeve dhe parqeve që funksionojnë nën ombrellën e Institutit Smithsonian. Në postin e sekretarit të 14 të Institutit Smithsonian, Lonnie Bunch mes të tjerash do të drejtojë 19 muzeume, duke u bërë afrikano-amerikani i parë në krye të institutit që financohet në bazë të një parneriteti publik dhe privat.

Bordi drejtues i Institutit Smithsonian emëroi zotin Lonnie Bunch si sekretarin e 14 të këtij institucioni, i cili bëhet kështu drejtuesi i parë afrikano-amerikan në historinë 173 vjeçare të tij.

“E gjithë karriera ime ka qënë puna për të bërë që njerëzit të kuptojnë se kultura afrikano-amerikane dhe afrikano-amerikanët janë pjesë thelbësore e asaj që jemi ne si amerikanë. Shpresoj që kjo do t’u japë njerëzve një ndjenjë optimizmi, dhe do të lejojë njerëzit të thyejnë barrierat, dhe me pak krijimtari, dedikim ndaj punës dhe pak fat të arrijnë objektivat e tyre. Por ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, shpresoj se kjo do të krijojë një ndjenjë të fuqishme mundësish, ku njerëzit do të kenë besim në vetvete.”

66 vjeçari Bunch do të udhëheqë kompleksin më të madh në botë të muzeumeve, arsimit dhe hulumtimeve, duke mbikëqyrur një buxhet vjetor prej 1.5 miliard dollarësh për financimin e 19 muzeumeve, nëntë qëndrave të vogla hulumtimi dhe kopështin zoologjik në kryeqytetin amerikan.

Emërimi vjen në më pak se tre vjet pas hapjes së Muzeumit Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano Amerikane. Si drejtori i parë i tij, zoti Bunch drejtoi përpjekjet 11 vjeçare për mbledhjen e më shumë se 40 mijë objekteve para hapjes së muzeumit në Parkun Kombëtar në Uashington në vitin 2016.

Muzeumi fitoi një popullaritet të madh në Uashington duke u bërë një nga objektet më tërheqëse, me më shumë se katër milion vizitorë gjatë 30 muajve të parë të hapjes. Zoti Bunch do ta marrë zyrtarisht postin më 16 qershor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG