Lidhje

Shkup, Komisioni parlamentar rekomandon heqjen e mandatit të deputetit Nikolla Gruevski


Në Maqedoninë e Veriut, Komisioni parlamentar për çështjen e mandateve dhe imunitetit vendosi me shumicë votash që t’i rekomandojë parlamentit heqjen e mandatit të deputetit Nikolla Gruevski, ish-kryemnistër i arratisur në Hungari. Sipas ligjit, një deputet i cili më shumë së gjashtë muaj nuk paraqitet në vendin e punës, rrezikon t’i hiqet mandati.

Pesë ligjënës votuan pro dhe asnjë nuk pati kundër, megjithëse përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së opozitare nuk votuan fare. Sipas deputetëve opozitarë, azili nuk është mungesë pa arësye. VMRO-ja akuzoi pushtetin për trysninë ndaj ish-kryetarit dhe aktualisht kryetar nderi i VMRO-së, Gruevski, “i cili nuk është arratisur, – sipas tyre, - por ka marrë azil politik në një vend anëtar të BE-së”.

Por, për heqjen e mandatit të deputetit vendos parlamenti në seancë plenare dhe për këtë duhen dy të tretat e votave, përkatësisht tetëdhjetë vota. Sipas pritjeve, seanca plenare për këtë do të mbahej pas javës së parë të qershorit.

Ish-kryeministri maqedonas iu shmang drejtësisë dhe burgut, pasi u dënua me dy vjet heqje lirie për ushtrimin e ndikimit në tenderim për blerjen e një makine Mercedes të blinduar me vlerë prej rreth 600 mijë eurosh, që do të përdorej për nevojat private dhe zyrtare të z. Gruevski. Po ashtu, edhe akuza të tjera e rëndojnë ish-Kryeministrin Gruevski lidhur me vepra të tjera penale. Autoritetet në Shkup thonë se Interpoli nuk po bashkëpunon në lidhje me kërkesat për arrestimin dhe dorëzimin e tij.

Nga ana tjetër, Budapesti ia ka miratuar atij në mënyrë të shpejtë kërkesën për azil politik dhe kërkesat e Shkupit për ekstradim kanë hasur në vesh të shurdhër.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG