Lidhje

Izraeli do të mbajë zgjedhje të reja


Në Izrael do të mbahen zgjedhje të reja parlamentare pasi Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri të re. Afati skadoi në mesnatën e së mërkurës

Në bisedimet e udhëheqësit izraelit me ish ministrin e mbrojtjes Avigdor Lieberman nuk u bë përparim. Partia e zotit Lieberman ka pesë vende në parlamentin me 120 anëtarë, për të cilat kishte nevojë zoti Netanyahu për të marrë kontrollin e shumicës.

Zoti Netanyahu refuzoi të pranojë kërkesën e zotit Lieberman që hebrenjtë ultra-ortodoksë të jenë pjesë e shërbimit të detyruar ushtarak sikurse të gjithë hebrenjtë e tjerë, dhe të mos bëhet përjashtim për ta si në të kaluarën.

“Gjithçka është siç ka qënë”, u shpreh zoti Lieberman.

Ligjvënësit izraelitë vendosën shpërndarjen e parlamentit, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja vetëm disa javë pasi zgjedhjet e parakohëshme të muajit prill u duk sikur i krijuan mundësi të mira zotit Netanyahu për të formuar një qeveri të re, duke u bërë kryeministër për të pestën herë dhe udhëheqësi që e ka mbajtur më gjatë këtë post.

Netanyahu dhe Lieberman, kanë qenë disa herë aleatë dhe shpesh herë rivalë gjatë viteve.

Zgjedhjet pritet të mbahen në shtator.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG