Lidhje

Përplasjet SHBA-Turqi lidhur me raketat ruse S400


Takimi Putin-Erdogan më 8 prill 2019 në Moskë
Takimi Putin-Erdogan më 8 prill 2019 në Moskë

Optimizmi për shmangien e krizës mes Ankarasë dhe Uashingtonit u ringjall pas një bisede telefonike mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit turk Recep Tayiip Erdogan.

Biseda telefonike e së mërkurës pasoi kërcënimet e Uashingtonit për vendosje të sanksioneve ndaj aleatit të saj të NATO-s si ndëshkim që Turqia bleu sistemin rus të raketave S400.

Uashingtoni thotë se raketat kërcënojnë të komprometojnë sistemet e mbrojtjes të NATO-s, veçanërisht avionin më të fundit luftarak të Shteteve të Bashkuara, F-35. Në bisedimet me Presidentin Trump, zoti Erdogan u përpoq të zbuste këtë shqetësim.

"Presidenti [turk] ka përsëritur një ofertë më të hershme për formimin e një grupi të përbashkët pune mbi planin e Turqisë për blerjen e sistemit të raketave S400 nga Federata Ruse", thuhet në një postim në Twitter të Fahrettin Altun-it, drejtor i komunikimit në zyrën e Presidentit të Turqisë.

Ankaraja këmbëngul se mund të ndërmerren hapa për t’u siguruar që sistemi i raketave S400 të mos ndërhyjë në infrastrukturën e NATO-s për sigurinë. Zyrtarët amerikanë kanë qenë skeptikë ndaj pretendimeve të tilla, por të dy presidentët duket se janë të angazhuar për të vazhduar dialogun.

"Plane nga Turqia për të blerë sistemin e mbrojtjes raketore S400 nga Turqia dhe mundësia për të vazhduar diskutimin gjatë takimit të G-20-së në Japoni, muajin e ardhshëm," tha Judd Deere, zëvendës zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

"Disa burime në Ankara ngrenë hipotezën se administrata [turke] ende mban shpresa se do të marrë mbështetjen e Presidentit Trump, edhe nëse Kongresi do të vendoste sanksione (ndaj Turqisë)", tha analisti Atilla Yesilada nga organizata “Global Source Partners”.

Erdogan shihet gjerësisht në Turqi si një President që ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me homologun e tij amerikan Donald Trump, megjithë përkeqësimin që po ndodh në marrëdhëniet Turqi-SHBA.

Analistët theksojnë se ndërkohë që Presidenti Trump kritikon ashpër aleatët perëndimorë, ai rrallë sulmon publikisht Erdoganin, pavarësisht dallimeve në rritje mes dy vendeve.

Në një akt që u komentua gjerësisht si gjest respekti nga Presidenti Erdogan për Presidentin Trump, shtetasi amerikan Serkan Golge u lirua nga burgu të mërkurën në mes të natës, pas telefonatës presidenciale.

Golge, një shkencëtar i NASA-s, u arrestua tre vjet më parë, nën akuzat për përfshirje në puçin e dështuar të vitit 2016. Uashingtoni kishte rritur trysninë për lirimin e zotit Golge duke këmbëngulur se akuzat ndaj tij janë të pabaza.

Megjithatë, duke marrë parasysh se raketat S400 pritet të arrijnë në Turqi që në muajin e ardhshëm, mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për gjetjen e një zgjidhjeje. "Turqia do të ballafaqohet me pasoja reale dhe negative, nëse finalizon blerjen e sistemit (rus) të raketave S400", tha të mërkuren zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.

Zëdhënësja Ortagus tha më tej se shitja e raketave ka të ngjarë të aktivizojë Aktin e Sanksioneve Kundër Armiqve të Amerikës, i cili ndalon blerjet e mëdha të sistemeve ruse të mbrojtjes.

Kërcënimi i SHBA për të vënë sanksione rëndon shumë mbi tregjet financiare turke. "Rezervat e shterrura të Turqisë në valutë të huaj nuk arrijnë ta mbrojnë monedhën turke. Herët a vonë, investitorët mund të vënë në pikëpyetje shanset për të marrë pagesat e kredive, [dhe] shkaktar për këtë mund të jetë një krizë me Shtetet e Bashkuara mbi sistemin e raketave ruse S400" tha në kushte anonime një analist financiar ndërkombëtar që punon në Turqi.

Disa analistë mendojnë se Presidenti Erdogan mund të përpiqet të fitojë kohë duke kërkuar shtyrjen e çdo krize të mundshme deri pas zgjedhjeve të 23 qershorit për kryebashkiak të Stambollit.

Zgjedhjet janë parë gjerësisht si thelbësore për Erdoganin pasi Partia e tij AKP pësoi një humbje shokuese në votimet e marsit në Stamboll. Komisioni zgjedhor i Turqisë urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve, pasi vendosi se disa zyrtarë nuk përmbushnin kushtet për të administruar votimet.

Presidenti Erdogan, i cili pritet të takohet me Presidentin Trump gjatë punimeve të takimit të G-20-ës në Japoni që do të mbahet në datat 28-29 qershor, mund të ketë parashikuar se çdo masë e mundshme ndaj Turqisë në lidhje me sistemin e raketave S400 do të shtyhet deri pas këtij takimi.

Në një lëvizje tjetër që mendohet se ka për qëllim të blejë më shumë kohë, Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar këtë javë tha se raketat S400-të "mund të mos vijnë në qershor por një muaj më pas (korrik)".

Moska reagoi përmes zëdhënësit të presidencës, Dmitri Peskov, i cili tha se, "dërgimi (i raketave s400) do të kryhet më herët se sa ishte planifikuar fillimisht, me kërkesë të palës turke". Korriku ishte data fillestare e dorëzimit të raketave.

Marrëveshja për blerjen e raketave S400 shihet gjerësisht jo vetëm si simbol i vendosjes së bashkëpunimit mes Moskës dhe Ankarasë, por edhe i mosbesimit të Turqisë ndaj aleatëve të saj perëndimorë, që lindi pas puçit të dështuar të vitit 2016.

"Zgjedhja e një sistemi rus të raketave është një gjest politik i administratës turke për Rusinë", thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara, Huseyin Bagci, "sepse Rusia ishte mes vendeve të para që mbështetën Ankaranë gjatë përpjekjes së grushtit të shtetit. Dhe ka ende qarqe në qeveri [turke] dhe tek presidenca që besojnë se puçi i dështuar ishte inskenuar nga amerikanët".

"[Presidenti rus Vladimir] Putin e sheh shitjen e raketave S400 si një mundësi strategjike për ta larguar Turqinë nga partnerët perëndimorë", tha një analist rus, i cili foli në kushte anonimiteti.

"Por Putini i jep vetëm 50 për qind shans realizimit përfundimtar të marrëveshjes për raketat S400", sipas analisti rus. "Nuk ka gjasa që të ketë pasoja të mëdha mes dy vendeve nëse Erdogani e anulon marrëveshjen. Për Putinin, bashkëpunimi energjetik (me Turqinë) është më i rëndësishëm."

Turqia pritet të bëhet një rrugë kryesore tranziti për gazin rus, dhe aktualisht janë duke u ndërtuar tubacionet kryesore, së bashku me një central bërthamor për prodhimin e energjisë që po ndërtohet nga Rusia.

Ankaraja këmbëngul se nuk ka kthim prapa në blerjen e raketave S400, por analistët janë të mendimit se Presidenti turk Erdogan mund të vazhdojë të ndjekë një lojë të kujdesshme të baraspeshës diplomatike për të shmangur një përballje me Uashingtonin deri pas mbarimit të zgjedhjeve lokale në Stamboll.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG