Lidhje

Shtypja e protestave në Tiananmen: Protestuesit kujtojnë


Më 4 qershor të vitit 1989, bota ngeli e shtangur nga kundërpërgjigja e qeverisë së Kinës kundër lëvizjes së studentëve për demokraci. Ndërhyrja kundër studentëve përfundoi me shumë protestues të vrarë e plagosur. 30 vite më vonë, udhëheqësit e studentëve dhe aktivistë të lëvizjes morën pjesë në një konferencë të mbajtur së fundmi në Uashington.

Natën e 3 qershorit të vitit 1989, turma të mëdha njerëzish u grumbulluan në sheshin Tienanmen në qendër të Pekinit, në kërkim të demokracisë. Në mesin e tyre ishte Yan Jiaqi, asokohe drejtor i Institutit për Kërkime Politike në Akademinë kineze të Shkencave Sociale.

“Nuk e kuptova që në fillim që kishte patur të shtëna. Qindra mijëra veta në sheshin Tienanmen nuk e dinin ende se çfarë po i priste”.

Trupat e armatosura dhe makinat ushtarake filluan të rrethojnë protestuesit e sheshit Tienanmen nga drejtime të ndryshme.

Qytetarët nuk e dinin çfarë po ndodhte. Rreth mesnatës, Yan u kthye në shtëpi.​

“Isha në gjumë, kur rreth orës 1 ose 2 të mëngjesit, dëgjova krisma që ngjasonin me fishekzjarret. Por zhurma ishte shumë më e madhe dhe e mprehtë. Vrapova në ballkon që të shoh. Shihej qartë flaka e të shtënave. Në atë moment e kuptova se ishte hapur zjarr dhe se Kina kishte ndryshuar”.

Atë mbrëmje, në ato rrugë të errëta, gazetari Wang Juntao pa ushtarë të gjuajnë pa mëshirë ndaj njerëzve. Imazhet e para 30 vjetëve janë ende të freskëta për të.

“Për herë të parë pashë dikë të vdiste me sy hapur. Shikimin e kishte nga qielli ndërsa nga koka i kullonte gjak... unë u mpiva. Mendova se kjo ditë do të ngelet si ditë solemne në historinë e Kinës. Politika kineze po bënte hapa të mëdhenj prapa.”

Studentit të Universitetit të Pekinit Wang Dan, nuk i besohej se po dëgjonte të shtëna armësh.

“Studentët lajmëronin njëri tjetrin me telefona publik. Kur erdhën thirrjet e para, nuk më besohej ç’ka u tha. Më vonë, kur thirrjet vazhduan, e kuptova se ishte e vërtetë. Për tri ditë, nuk mund të mendoja asgjë sepse truri më ishte mpirë nga tronditja.”

Duke kujtuar këtë ngjarje, Su Xiaokang, që tani jeton si azilant në SHBA, thotë se efektet e kësaj ngjarje i dhanë formë politikave shtetërore për vitet në vazhdim. Ai shton se një grup i vogël të krahut të ashpër morën pushtetin dhe e kanë ruajtur atë duke ua përcjellë fëmijëve të tyre të njohur si princat e rinj.

“Sistemi aktual politik dhe ekonomik u formua nga këta princa të rinj që erdhën në pushtet. Të gjitha pasuritë e Kinës janë në dorën e 200 familjeve, gjë që solli zhvillimin ekonomik në kurriz të dëmtimit të mjedisit.”

Yan Jiaqi thotë se paaftësia e qeverisë për të pranuar atë që ndodhi atë natë, po e mban vendin të bllokuar.

“Ajo që ndodhi më 4 qershor 1989, duhet të njihet në Kinë si një masakër, një vepër kriminale ndaj njerëzve të ekzekutuar nga partia komuniste. Kina nuk do të ecë përpara nëse e vërteta nuk thuhet. Pa drejtësi, Kina nuk ka të ardhme.”

Ngjarja e Tienanmenit vazhdon të jetë e censuruar në Kinë. Qeveria vazhdon t’i referohet asaj si një “kryengritje kundër-revolucionare”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG