Lidhje

Në kujtim të sakrificave më të larta në Normandi


Më 6 qershor, Presidenti amerikan Donald Trump bashkë me zyrtarë nga vende të tjera, do të mblidhen në një plazh të Francës veriore për të shënuar 75 vjetorin e ditës së zbarkimit aleat, të njohur si Dita D. Në këtë operacion ushtarak të suksesshëm por me shumë humbje, mijëra amerikan dhe ushtarë të vendeve aleate u vranë në fazën e parë të aksionit final për të çliruar Francën dhe kontinentin nga pushtimi i nazistëve gjermanë. Më shumë se 425 mijë trupa, duke përfshirë edhe gjermanë, u vranë, plagosën ose u zhdukën. Memoriali dhe varrezat e amerikanëve në Normandi është një vend i veçantë ku kujtohen luftëtarët e rënë. Nicolas Pinault i Zërit të Amerikës ishte në Normandi dhe na sjell këtë material.

Plazhi Omaha në Normandi të Francës, sot mund të konsiderohet si një parajsë në mbi tokë.

Por, 75 vite më parë, po në këtë vend u zhvillua një ndër betejat më të guximshme të luftës së dytë botërore.

“Sundimtari” ishte emri i koduar i operacionit, që ndryshe njihet edhe si Dita D, ku mijëra ushtarë amerikanë bashkë me aleatët, goditën forcat hitleriane që kishin pushtuar këtë pjesë të Evropës.

“U deshën vite për ta planifikuar. Me siguri ishin mijëra harta, mijëra vendime për të marrë. Shumë e komplikuar. Nuk jam i sigurt nëse sot do të mund ta përsëritnim, pavarësisht teknologjisë që kemi. Duhet të kujtojmë se këta burra e bënë këtë pa sistem navigimi, pa internet.”

Më 6 Qershor 1944, ishte e kushtueshme të fitohej qoftë edhe një pëllëmbë tokë në Evropën perëndimore. Beteja e asaj dite u mori jetën 8 mijë e 500 ushtarëve, prej të cilëve 2 mijë e 12 ishin amerikanë.

Dy mijë tjerë u plagosën ose nuk u gjetën kurrë. Për të kujtuar sakrificën e tyre në Normandi, SHBA-së iu dha tokë për të ndërtuar një përmendore.

Populli francez është mirënjohës edhe 75 vite pas.

“Më duket sikur të ketë ndodhur dje. Është histori e familjes sime, e gjyshërve të mi, e di çmimin e lirisë sime. Pa këta burra të varrosur këtu, nuk e di ku do të isha.”

Rreth 1 milion turistë vizitojnë çdo vit përmendoren në nderim të të rënëve që dhanë jetën për të tjerët.

“Fakti që njerëz kaq të mirë dhanë jetën e tyre për liri, do të thotë shumë për ne. Është përvojë emocionuese të vish këtu dhe ta shohësh dhe përjetosh.”

Presidenti amerikan Donald Trump do të nderojë këtë sakrificë të madhe në betejën që çliroi kontinentin e pushtuar nga forcat naziste.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG