Lidhje

Protesta në Tiranë, 42 të arrestuar për aktet e dhunës


Protesta në Tiranë, 42 të arrestuar për aktet e dhunës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

Në Shqipëri policia njoftoi sot se 42 persona janë arrestuar dhe 18 të tjerë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, do të procedohen në gjendje të lirë lidhur me gjarjet e dhunshme të rregjistruara gjatë protestës së mbrëmshme të opozitës të cilat kulmuan para selisë së parlamentit. Aktet e dhunës në protestat e opozitës janë dënuan sot dhe nga Kryetari i rradhës së OSBE-së, ministri i Jashtëm sllovak Miroslav Lajçak, sipas të cilit “pjesmarrja në institucionet demokratike është e vetmja rrugë e ligjshme drejt pushtetit politik”.

Sipas policisë, gjatë protestës përpara parlamentit “pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarrë, tymuese dhe kapsolla me fuqi të lartë shpërthimi punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim para Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit të Shqipërisë”, shpjegon njoftimi, duke shtuar se “si pasojë e përdorimit të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në godinën e Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit”. Të gjithë personat e arrestuar dhe proceduar për protestën e mbrëmshme akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Mbrëmjen e së dielës, për më shumë se një orë, hyrja kryesore e parlamentit mori pamjen e një fushë beteje, me tym e flakë. Grupe protestuesish lëshuan pa ndërprerje shashka, flakadanë dhe fishekzjarre drejt oborrit të godinës, në brendësi të së cilës qëndronin të rreshtuara forcat speciale të policisë si dhe një automjet ujëhedhës. Pas thirrjeve të përsëritura drejtuar protestuesve që të largoheshin, policia përdori gazin lotsjellës dhe ujëhedhësen.

Bilanci i mbrëmjes ishte me 13 të lënduar, nga të cilët sipas ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj “10 janë punonjës policie dhe 3 protestues, dhe këta të prekur nga lëndët piroteknike”. Nga spitali ku vizitoi të plagosurit, ministri Lleshaj, bëri përgjegjës kryetarin demokrat Lulzim Basha “për sulmin kriminal nga militantë të Partisë Demokratike, kundër Policisë së Shtetit. Është jashtë çdo standarti një sulm i dhunshëm kundër policisë. Përpjekja për destabilizim e dhunë është e pashpresë”, theksoi ai.

Më herët ishte zoti Basha që akuzoi policinë për “dhunë jo proporcionale. Shqiptarët nuk do pranojnë dhe nuk do lejojnë mbajtjen e pushtetit me dhunë. I them Ramës e LLeshajt se do mbani përgjegjësi para ligjit. Se përpjekja për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës do marrë përgjigjen e merituar”, tha zoti Basha.

Lidhur me zhvillimet në Shqipëri u shpreh sot dhe Kryetari i radhës i OSBE-së Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij në Tiranë. “Përshkallëzimi i dhunës gjatë disa protestave të udhëhequra nga opozita është bërë shumë i mërzitshëm. Vazhdimi i tyre do të dëmtojë përpjekjet e Shqipërisë për reforma dhe pa dyshim do të pengojë realizimin e përparësive të saj të brendshme dhe ndërkombëtare. Trazirat nuk duhet të zëvendësojnë angazhimin demokratik, përkundrazi ato heqin çdo shans për dialog dhe për të gjetur një terren të përbashkët”, deklaroi zoti Lajçak, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin Jashtëm shqiptar në detyrë Gent Cakaj. Sipas tij “vendimi i anëtarëve të opozitës për të hequr dorë nga mandatet është për të ardhur keq. Demokracia kërkon kontroll dhe ballancë. Dhe opozita ka një rol të rëndësishëm”, u shpreh ai duke shtuar se “dhuna dhe frikësimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare është i papranueshëm”, ndërsa ju referua rastit të ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, pas disa deklaratave të tij ku dënonte dhunën në protestën e opozitës të pak javëve më parë. Zoti Lajçak theksoi se "e vetmja mënyrë për të arritur përparim dhe për të gjetur zgjidhje është përmes dialogut kontruktiv mes të gjithë palëve, për të tejkaluar dallimet dhe për të punuar në interesin më të mirë të vendit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG