Lidhje

75 vjetori i zbarkimit në Normandi


Presidenti amerikan Donald Trump së bashku me Kryeministren Theresa May të Britanisë, Kryeministrin Justin Trudea të Kanadasë, Kancelaren Angela Merkel të Gjermanisë dhe udhëheqës të tjerë, morën pjesë në një ceremoni përkujtimore në përvjetorin e zbarkimit të trupave aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ceremonia u zhvillua në qytetin britanik, Portsmouth me rastin e 75 vjetorit të ndërhyrjes së aleatëve për çlirimin e Evropës.

Në ditën e tretë të qëndrimit në Britani, Presidenti Trump mori pjesë të mërkurën në një ceremoni përkujtimore që shënon 75 vjetorin e zbarkimit të trupave aleate për çlirimin e Evropës. Zoti Trump zgjodhi të kujtonte për të pranishmit fragmente nga lutjet që Presidenti Franklin Roosevelt i kishte lexuar kombit amerikan përmes valëve të radios me 6 qershor të vitit 1944 ndërsa trupat aleate kishin filluar zbarkimin.

“Zoti ynë i Plotfuqishëm. Bijtë tanë, krenaria e kombit tonë, këtë ditë kanë ndërmarrë një përpjekje të fuqishme. Një betejë për të ruajtur republikën, besimin tonë fetar dhe civilizimin dhe për të çliruar njerëzimin e vuajtur.”

Mbretëresha e Britanisë Elizabeth po ashtu mori pjesë në cermonitë e rastit, duke vizituar me Presidentin Trump veteranët e zbarkimit të vitit 1944.

Zyra e Kryeministers May publikoi një dekleratë ku theksohej bashkëpunimi ndërkombëtar historik në operacionet masive për të zbarkuar forca përgjatë Kanalit të la Manshit në Normandi të Francës ndërsa ushtritë aleate luftuan për të mundur Gjermaninë naziste.

“Ndërsa bashkohemi për të nderuar ata që me guximin dhe sakrificën e tyre në brigjet e Normandisë shënuan një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore, ne premtojmë se kurr nuk do të harrojmë borxhin që u kemi atyre. Solidariteti dhe vëndosmëria në mbrojtjen e lirisë tonë mbetet një mësim për të gjithë ne.”

Rreth 150 mijë trupa aleate zbarkuan në Normandi, përfshi 14 mijë ushtarë kanadezë. Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau kujtoi historinë e nënkolonelit Cecil Merritt, kanadezi i parë që fitoi medaljen prestigjoze britanike “Victoria Cross” në Luftën e Dytë Botërore.

Presidenti francez Emmanuel Macron lexoi një letër dërguar nga një 16 vjeçar, luftërar i rezistencës Henri Ferte, para se ai të ekzekutohej.

“Unë do të vdes për vendin tim. Dua që Franca të bëhet e lirë dhe francezët të lumtur”.

Në ditën e tretë të vizitës në Britani, Presidenti Trump do të zhvillojë takime me pjestarë të forcave amerikane para se të niset për në Irlandë për një takim me Kryeministrin Leo Varadkar.

Gjatë një konference shtypi me Kryeministren May një ditë më parë, zoti Trump shfaqi një përzjerje mes diplomacisë dhe kritikave. Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për një “marrëveshje të jashtëzakonshme” me Britaninë ndërsa ky vend përgatitet të lërë Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu vlerësoi Kryeministren May, e cila po largohet në fund të javës nga posti drejtues i Partisë Konservatore pasi nuk arriti të sigurojë një marrëveshje për daljen nga BE.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG