Lidhje

Sulmet ndaj medias shtohen në vendet e lira 


Liria e shtypit në botë është në rënie, madje edhe në vendet që ishin klasifikuar prej kohësh vende të lira. Organizata e pavarur monitoruese “Freedom House”, njofton se forma të reja të represionit ndaj medias dhe manipulimit kanë zënë vend në shoqëritë që kanë qenë tradicionalisht të hapura, që nga Evropa Qendrore dhe deri tek Shtetet e Bashkuara ku shfaqen “sulme të reja dhe shumë shqetësuese” ndaj gazetarëve dhe mediave, nga administrata Trump. Njofton nga Nju Jorku korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ramon Taylor.

Figurat autoritare që punojnë për të dëmtuar gazetarinë e pavarur vazhdojnë të konsolidojnë pushtetin e tyre. Por sipas një raporti të ri, në vendet me demokraci të brishtë po shfaqen edhe taktika të reja. Organizata monitoruese Freedom House thotë se një ndër rreziqet është ndikimi global i Kinës, e cila ndër të tjera po përpiqet të kontrollojë mediat në mbarë Afrikën.

“Po e arrijnë përmes eksportimit të mesazhit të tyre dhe gjetjes së mediave miqësore që do ta botonin dhe transmetonin atë mesazh. Po e arrijnë nëpërmjet presionit ndaj gazetarëve, por edhe ndaj diplomatëve dhe pronarëve të mediave në vende të ndryshme, të cilët duhet të ushtrojnë çensurë në emër të Pekinit”, thotë Sarah Repucci, drejtore e kërkimeve dhe analizës në organizatën Freedom House.

Sipas organizatës, pamja pezmatuese për lirinë globale të mediave është rezultat i rënies në mbarë globin, paralelisht me ngritjen e populizmit të krahut të djathtë.

Të klasifikuara si dy rajonet më pak të lira në botë, Euroazia dhe Afrika-Lindja e Mesme humbën 9% - 11% të pikëve të tyre krahasuar me vitin 2014. Ndër kontribuesit e rënies së përgjithshme është Evropa, ku katër nga pesë vende klasifikohen “vende të lira”. Megjithatë, klasifikimi i Evropës ka rënë me 8%.

Freedom House thotë se 16 vende të lira kanë rënie të nivelit të lirisë së medias gjatë pesë viteve të fundit.

Zonja Repucci, e cila është edhe ndër hartuesit kryesorë të raportit, thotë se Shtetet e Bashkuara, të emërtuara nga organizata si “fuqia udhëheqëse demokratike e botës”, vazhdojnë të mbajë në fuqi parashikime të forta ligjore që mbrojnë mediat përballë kërcënimeve dhe sulmeve.

”Mediat kryesore kanë zmbrapsur fuqishëm sulmet dhe kanë vazhduar publikimin e informacioneve që ngarkojnë udhëheqësit me përgjegjësi. Por, shqetësimi është se po ndryshojnë normat, dhe se do të jetë e vështirë të rikthehemi aty kemi qenë më parë”, thotë zonja Repucci.

Në vende me mjedis problematik për mediat, si Sudani dhe Venezuela, zonja Repucci thotë se mediat sociale, megjithë mangësitë e tyre, vazhdojnë të luajnë një rol jetësor për gazetarët dhe demokracinë në tërësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG