Lidhje

Shkaqet e arrestimit të gazetarit investigativ Ivan Golunov


Tre nga gazetat kryesore ruse kanë botuar në faqet e para të tyre deklarata identike, ku vënë në dyshim shkaqet e arrestimit të gazetarit investigativ Ivan Golunov, i cili pësoi lëndime gjatë kohës që u mbajt i ndaluar në polici.

Gazetat “Vedomosti”, “Kommersant” dhe “RBC” kishin botuar të njëjtën deklaratë të përbashkët në faqen e tyre të parë të 10 qershorit, e cila kërkon gjithashtu zhvillimin e një hetimi mbi arrestimin e gazetarit, për të cilin grupi “Gazetarët pa Kufi” ka paralajmëruar se mund të shënojë “një shkallëzim të konsiderueshëm” të persekutimit të gazetarëve të pavarur në Rusi.

"Ne nuk i konsiderojmë bindëse dëshmitë e paraqitura nga hetimi për fajësinë e Ivan Golunovit dhe rrethanat e arrestimit të tij shkaktojnë dyshime të mëdha për shkelje ligjore gjatë hetimi ndaj tij. Ne nuk përjashtojmë mundësinë që ndalimi dhe arrestimi i Golunovit lidhet me aktivitetet e tij profesionale", - thuhet në deklaratën e përbashkët të botuar nga gazetat ruse.

Ivan Golunov, një gazetar i mirënjohur investigativ, i organizatës mediatike lajmeve Meduza, pësoi lëndime serioze gjatë arrestimit të tij më 6 qershor, nën akuzat për trafik droge.

Arrestimi i tij, që mendohet së u ndërmor nga autoritetet ruse si hakmarrje ndaj raportimeve të tij që demaskojnë korrupsionin, tronditi gazetarët rusë dhe u shoqërua me një mbështetje të madhe të publikut. Me qindra njerëz qëndruan jashtë selisë së policisë në Moskë, për të protestuar ndaj arrestimit dhe keqtrajtimit të gazetarit. Ivan Golunov po mbahet në arrest shtëpiak, në pritje të gjyqit të tij të caktuar për në gusht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG