Lidhje

Maqedoni e Veriut, arrestohet një zyrtar qeveritar


Është arrestuar Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Adminisratës të qeverisë së Maqedonisë nën akuzat për korrupsion. Jahi Jahija, përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili e ka ushtruar prej vitesh këtë funksion, akuzohet nga Prokuroria maqedonase për çështje të korrupsionit së bashku me një ish-kolege të tij për marrje ryshfeti prej disa dhjetëra mijë eurosh në vitin 2014/15 nga një firmë e cila kishte fituar në një tenderim.

Çështja ka marrë dimensione edhe jashtë shtetit me Shëbimin evropian për pengimin e mashtrimeve – OLAF (European Anti-Fraud Office), i cili është kyçur në hetime. Hetime janë bërë edhe në Itali. Policia maqedonase ka lënë të kuptohet se në këtë rast janë shpërdorur mjete të fondit evropian – IPA.

Dy të akuzuarit i kanë zbuluar informata të fshehta firmës që ka konkurruar në tenderin prej mbi një milion eurosh, në lidhje me tenderimin, sipas autoriteteve në Shkup. Firma e njejtë në vitin 2016 kishte filluar ta zbatojë projektin IPA kur dhe, sipas akuzës, i kishte shpërblyer dy zyrtarët e ministrisë maqedonase.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka komentuar shkurt se do ta lënë që prokuroria të merret me çështjen dhe nëse Jahija gjendet fajtor atëherë ai le të bartë përgjegjësitë.

Jahija u arrestua të hënën në shtëpinë e tij në komunën e Likovës, afër Kumanovës. E akuzuara e dytë, emri i së cilës nuk bëhet publik, nuk është e kapshme për organet hetuese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG