Lidhje

E ardhmja e Hong Kongut ndërsa rritet ndikimi i Kinës 


Udhëheqësja e Hong Kongut Carrie Lam, e cila mbështet politikën e Pekinit, kërkoi falje të martën për krizën politike dhe trazirat që përfshinë vendin nxitur nga një projektligj që do të lejonte ekstradimet në Kinë për procese të caktuara gjyqësore. Autoritetetet vendosën ta pezullojnë nismën, por ende ekzistojnë shqetësime të mëdha mbi të ardhmen e Hong Kongut.

Udhëheqësja e Hong Kongut nuk u tërhoq përballë kërkesës së protestuesve që të largohej nga detyra për shkak të mënyrës se si e trajtoi çështjen e projekligjit të debatueshëm.

"Shqetësimet gjatë disa muajve të fundit janë shkaktuar nga mangësitë në punën e qeverisë se Rajonit Administrativ Special të Hong Kong-ut (SAR), lidhur me zbatimin e amendamentit. Personalisht më duhet të mbaj një pjesë të madhe të përgjegjësisë. Kjo ka çuar tek polemikat që kanë krijuar ankth në shoqëri e për këtë arsye i kërkoj falje të sinqertë të gjithë popullatës së Hong Kongut", tha Carrie Lam, shefe Ekzekutive e Hong Kong-ut.

Zonja Lam i bëri komentet ndërsa në Hong Kong u rikthye një qetësi relative. Protestat masive kundër projektligjit të debatueshëm mbi ekstradimin u tkurrën në vetëm disa dhjetra aktivistë që vazhdojnë të qëndrojnë rreth godinave qeveritare të qytetit.

"Nuk e dimë për sa kohë do të qëndrojmë, por sigurisht duam që situata të zgjidhet sa më parë. Nëse qeveria nuk na jep përgjigje, nuk do të heqim dorë", thotë Jake Chen, protestues.

Më shumë se një milion vetë marshuan nëpër rrugët e qendrës financiare. Të dielën ata rrethuan ndërtesën e Këshillit Legjislativ dhe i bënë thirrje shefes ekzekutive të Hong Kong-ut Carrie Lam që të tërheqë plotësisht projektligjin, i cili do të lejonte eskradimin për gjykim në Kinë.

Zonja Lam i pezulloi debatet mbi projekligjin të shtunën. Të hënën Shtetet e Bashkuara shprehën sërisht mbështetjen e tyre për aktivistët e demokracisë në Hong Kong, duke thënë se ata po demonstronin për të drejtat e tyre themelore.

Hong Kongu-u nuk do të jetë plotësisht pjesë e Kinës deri në vitin 2047 ose rreth tre dekada më pas. Por shumë nga ata që jetojnë në qytetin gjysmë-autonom thonë se mënyra e tyre e jetesës po ndryshon, ndërsa Pekini po zgjeron ndikimin e tij.

Pyetja që shtrohet është: a do të kishin besim banorët e Hong Kongut që të gjykoheshin nga një sistem gjyqësor i politizuar i Kinës? Përgjigjja e tyre ishte një jo e fortë.

Edhe pse qeveria e pezulloi projekligjin e ardhmja e Hong Kongut mbetet e paqartë. Ndërsa Pekini rrit ndikimin e tij, shumë vetë mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të largohen.

"Po ndodh. Moshatarët e mi në të tridhjetat apo në fillim të të 40-ve, po planifikojnë një gjë të tillë”, thotë Edwin Cheung, banor i Hong Kongut.

"Ndoshta duhet të shkojmë diku në perëndim në një vend më demokratik" thotë Conner, student nga Hong Kongu.

"Ndihem i turpëruar që nuk dua të jetoj më këtu", thotë Frank, kontabilist.

"Do të shkojmë në Tajvan ose Australi, në një vend që nuk kontrollohet nga Kina", thotë Billy Lee, banor i Hong Kongut.

Reputacioni i Hong Kongut si një qendër financiare ndërkombëtare mund të jetë gjithashtu në rrezik.

"Një nga arsyet se pse njerëzit e përdorin Hong Kongut si një bazë në Azi është se nga njëra anë ata mund të kenë qasje në tregun kinez dhe nga ana tjetër bëhet fjalë për një sistem ligjor të veçantë që ofron mbrojtje më të madhe për shkak të sundimit të ligjit. Nëse hapet ndonjë vrimë për të lejuar sistemin ligjor kinez të hyjë, padyshim situata do të ndërlikohej", thotë Kevin Yam, jurist.

Edhe pse nuk ka patur përpjekje për largime, shqetësimi i komunitetit të biznesit lidhur me projekligjin mbi ekstradimin është real.

"Dhoma Amerikane e Tregtisë, ajo Britanike si dhe Dhoma Evropiane e Tregtisë kanë shprehur shqetësim të konsiderueshëm mbi këtë çështje. Ajo bie në kundërshtim me parimin e një Kine, por me dy sistemeve të ndryshme", thotë Steve Vickers, konsulent për menaxhimin e riskut.

Për shkak se në Hong Kong mungojnë institucionet plotësisht demokratike, një nga mënyrat e vetme se si njerëzit mund të ngrejnë zërin janë protestat. Dhe në këtë pikë, protestat po bëhen gjithnjë e më të mëdha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG