Lidhje

Bëhet me sy makina pa shofer


Njihen si makina autonome, pa shofer, robotike ose makinat që drejtojnë veten. Sido që të jetë, ngadalë ato po bëhen pjesë e realitetit. Ndonëse do të duhet kohë që këto mjete transporti të bartin njerëzit në destinacionin e dëshiruar, prodhuesit e makinave tashmë kanë përfshirë në to teknologjinë që e bën ngarjen edhe më të sigurt. Një sensor që quhet Lidar, me rrezet që prodhon godet objektet dhe sinjalet i përdor për të krijuar harta tre-dimensionale në kohë reale.

Kjo kuti e vogël e vendosur në pjesën e sipërme të makinës ka një qëllim të madh. Është një sensor që nëpërmjet rrezeve, lejon automjetin të shikojë rrugën pavarësisht nga njeriu.

“Lidar shfrytëzon teknologjinë e dritës duke lëshuar rreze nga sensori që godasin objektin. Rrezet pastaj kthehen në sensor dhe kështu mblidhen të dhëna për distancën dhe kohën. Ky proces vazhdon duke mbledhur shumë të dhëna nga të gjitha objektet e zonës përreth”, thotë Sally Frykman nga kompania Velodyne Lidar​.

Kur makina lëviz, sensorët lidar grumbullojnë të dhëna përmes rrezeve dhe krijojnë hartën që lehtëson marrjen e vendimeve në komunikacion, kur duhet ulur shpejtësia, kur duhet shkelur gazi dhe kur duhet rrotulluar timoni.

“Pavarësisht nëse përpara ka një njeri, një qen apo një kamion, sensori Lidar i kthen në imazhe... Kjo është mënyra më e mirë për të përjetuar me shqisa botën përreth, duke e aplikuar këtë edhe në makinat vetëlëvizëse” , thotë Rick Tewell nga kompania Velodyne Lidar.

Jo të gjithë prodhuesit e makinave vetlëvizëse përdorin sensorin Lidar, i cili ka kohë që është në qarkullim dhe është përdorur për matjen e topografisë së Hënës. Kjo sepse çmimi mund të jetë i lartë. Pavarësisht teknologjisë që përdoret, shpresat janë që robotët të sjellin ngarje më të sigurt të makinës.

“Për ne si njerëz do të ishte më e sigurt dhe me më pak aksidente, duke pasur më pak vdekje në rrugët tona.”

Nevoja e shtimit të sigurisë në rrugë, ka nxitur prodhuesit e automjeteve të investojnë në teknologji, si sensori Lidar që i jep makinës sy mjaft të veçantë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG