Lidhje

Patrick Shanahan tërhiqet nga procesi i konfirmimit si Sekretar i Mbrojtjes


Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën se Patrick Shanahan u tërhoq nga procesi i konfirmimit për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, duke thënë se donte të shpenzonte më shumë kohë me familjen e tij.

Zoti Trump tha se sekretari i ushtrisë Mark Esper do ta zëvendësojë zotin Shanahan si Sekretar i Mbrojtjes në detyrë.

Zoti Esper besohej se ishte një kandidat i rëndësishëm për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, nëse zoti Shanahan nuk do të konfirmohej nga Senati.

Gazeta “USA Today” njoftoi të martën se FBI-ja kishte hetuar një mosmarrëveshje nëntëvjeçare midis zotit Shanahan dhe gruas së tij, Kimberly, si pjesë e kontrollit të biografisë së tij për procesin e konfirmimit. Sipas gazetës, zoti Shanahan dhe ish bashkëshortja e tij, kishin konfirmuar në dokumentet e gjykatës dhe raportet e policisë, se mosmarrëveshja mes tyre ishte acaruar së tepërmi.

Tërheqja e zotit Shanahan nga procesi i konfirmimit si Sekretar i Mbrojtjes ndodh në mesin e shtimit të tensioneve me Iranin.

Presidenti Trump nuk ka patur një sekretar mbrojtjeje që nga koha kur dha dorëheqjen James Mattis, në muajin dhjetor.

Pas njoftimit të vendimit për tërheqjen e tij nga posti, Patrick Shanahan bëri një deklaratë, ku midis të tjerash shkruante se:

"...Jam krenar për punën e kyer në dy vitet e fundit. Nën udhëheqjen e Presidentit Trump dhe mbështetjen dy-partiake të Kongresit, Departamenti ka bërë përparim të rëndësishëm në rindërtimin dhe modernizimin e ushtrisë, e aftë për të konkurruar me Kinën dhe Rusinë. Ne jemi duke zhvilluar aftësi ushtarake, për t'u siguruar që udhëheqja ushtarake e Amerikës për dekada me radhë të vazhdojë edhe në hapësirë...Por mendoj se vazhdimi i procesit të konfirmimit do t'i detyronte fëmijët e mi të përjetonin momente traumatike dhe do të rihapte plagë, të cilat jemi përpjekur me vite t'i shërojmë. Në fund të fundit, siguria dhe mirëqenia e tyre është përparësia ime kryesore...Do ta mirëprisja mundësinë për t'u bërë Sekretar i Mbrojtjes, por jo me koston e të qënit një baba i mirë."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG