Lidhje

Reagon Moska pas protestës anti-ruse në Gjeorgji


Presidentja e Gjeorgjisë e quajti Rusinë "armik dhe pushtues" si dhe pohoi se Moska kishte ndihmuar në nxitjen e protestave që tronditën Tbilisin. Por të premten Kremlini fajësoi politikanët radikalë gjeorgjianë për atë që e quajti "një provokim anti-rus".

Deklarata e fortë e presidentes Salome Zurabishvili vjen pas skenave të dhunshme në kryeqytetin gjeorgjian, ku të enjten vonë në mbrëmje policia përdori gazin lotsjellës e plumba gome për të ndalur turma të zemëruara njerëzish të hynin në parlament për shkak të vizitës së një ligjvënësi rus. Qindra vetë, si protestues dhe policë, u plagosën gjatë përleshjeve, disa prej tyre morën dëmtime të rënda. Protestuesit u përpoqën të thyejnë kordonin policor, ata hodhën shishe e gurë ndaj policëve, duke marrë një përgjigje të ashpër.

Kryetari i parlamentit gjeorgjian Irakli Kobakhidze dha dorëheqjen të premten, duke përmbushur një nga kërkesat e protestuesve.

"Rusia është armiku dhe pushtuesi ynë. “Kolona e pestë” që ajo kontrollon mund të jetë më e rrezikshme se agresioni i hapur" shkruante në një postim në facebook pas trazirave presidenti Zurabishvili. “Vetëm Rusia përfiton nga një ndarje e vendit, e shoqërisë si dhe konfrontimi i brendshëm dhe kjo është arma më e fuqishme sot", shkruante ai.

Ndikimi i Rusisë në Gjeorgji mbetet një çështje e ndjeshme politike.

Opozita akuzon partinë në pushtet, e cila mbështeti Salome Zurabishvili-n për garën presidenciale të zhvilluar në fund të vitit të kaluar, se po tregohet shumë e butë përballë Moskës. Në vitin 2008, ky shtet i vogël i Kaukazit jugor, aleat i SHBA-së, humbi një luftë të shkurtër kundër Rusisë.

Të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike që prej asaj kohe. Rusia njohu pavarësinë e dy rajoneve të shkëputura gjeorgjiane, Osetisë Jugore dhe Abkazisë, ku tashmë janë dislokuar trupa ruse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG