Lidhje

Vizita dyditore e Xi Jingping në Korenë e Veriut


Analistët thonë se vizita dy-ditore e presidentit kinez Xi Jinping në Korenë e Veriut ndodh në një kohë shumë të nevojshme për të dyja vendet. Për Phenianin, ajo mund të ndihmojë të hapë përsëri rrugën drejt negociatave me Shtetet e Bashkuara. Për Pekinin, thonë analistët, vizita i siguron zotit Xi një mënyrë për të nxjerrë në pah ndikimin e Kinës në çështjen bërthamore të Koresë së Veriut.

Një nga mesazhet kryesore të vizitës së presidentit Xi është forcimi i lidhjeve mes dy vendeve - një pretendim që mediat shtetërore në të dyja vendet e kanë trumbetuar shumë gjatë dy ditëve të fundit. Agjencia qendrore koreane e lajmeve (KCNA) e quajti vizitën një demonstrim "vendimtar" të miqësisë.

KCNA tha se miqësia duhet të forcohet duke pasur parasysh gjendjen "serioze dhe komplekse" të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas agjensisë kineze të lajmeve, Xinhua, presidenti Xi tha në një ceremoni mirëpritëse se të dy vendet kishin rënë dakord ta "trashëgonin miqësinë e tyre tradicionale nga brezi në brez."

Por marrëdhënia mes të dy vendeve është shumë më e tensionuar dhe komplekse sesa sugjerojnë njoftimet e mediave shtetërore, duke u shpjeguar pjesërisht me arsyen se Xi është udhëheqësi i parë kinez që po viziton Korenë e Veriut që nga viti 2005.

시진핑 중국 국가주석과 김정은 북한 국무위원장이 무개차를 타고 평양 시내에서 카퍼레이드를 하는 모습을 북한 관영 '조선중앙통신'이 21일 공개했다.
시진핑 중국 국가주석과 김정은 북한 국무위원장이 무개차를 타고 평양 시내에서 카퍼레이드를 하는 모습을 북한 관영 '조선중앙통신'이 21일 공개했다.

Mospërfillja e Koresë së Veriut për sanksionet e Kombeve të Bashkuara në të kaluarën - përfshi provat bërthamore dhe me raketa - ka qenë një sfidë për marrëdhënien mes dy vendeve. Pekini është bashkuar me komunitetin ndërkombëtar në vendosjen e sanksioneve të ashpra që vazhdojnë ndaj Phenianit.

Ka pasur disa përmirësime në marrëdhënien mes tyre pasi Shtetet e Bashkuara hapën negociata të drejtpërdrejta me Korenë e Veriut, përfshi takimin e nivelit të lartë të

presidentit Donald Trump me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në Singapor dhe Hanoi. Gjatë pothuajse të njëjtës periudhë, Kim vizitoi Kinën katër herë.

Dështimi i takimit të fundit në Hanoi i ka dhënë Kinës një mundësi për të luajtur një rol më të madh në çështjen bërthamore. Por kjo nuk ka të bëjë me miqësinë, thotë Zhao Tong, një studiues me Qendrën Carnegie Tsinghua për Politikat Globale.

"Nuk besoj se ka ndonjë besim të vërtetë apo ndonjë afrimitet personal," thotë zoti Zhao. Kina dhe Koreja e Veriut "duan të përmirësojnë marrëdhëniet për llogari të interesave kombëtare".

Nga pikëpamja e Koresë së Veriut, kjo ka të bëjë me rinisjen e diplomacisë dhe lehtësimin e presionit nga sanksionet, thotë Zhao, duke vënë në dukje se Kim Jong Un është i shqetësuar. Më parë këtë muaj, Kim i dërgoi një mesazh presidentit amerikan, një mesazh që presidenti Trump e quajti një "letër të bukur".

"Ka një nevojë në rritje nga ana e Republikës Demokratike Popullore të Koresë për të rinisur diplomacinë me shpresën që të lehtësohen sanksionet sa më shpejt të jetë e mundur," thotë analisti.

Joseph Siracusa, profesor i sigurisë dhe diplomacisë ndërkombëtare në Institutin Teknologjik Mbretëror të Melburnit, thotë se zoti Kim është mbërthyer në një pozitë të vështirë.

"Nëse i jep presidentit të Shteteve të Bashkuara shumë, ushtria e Koresë së Veriut do ta qëllojë atë natën", thotë Syracusa. "Nëse i jep presidentit shumë pak, do të ketë një luftë me Amerikën pas 12 muajsh".

Siracusa thotë se vendimi i presidentit Xi për të vizituar Korenë e Veriut është i paramenduar dhe i qëllimshëm, veçanërisht duke pasur parasysh se udhëheqësi i Kinës do të ulet për të diskutuar fërkimet tregtare me presidentin Trump javën e ardhshme, në periferi të një samiti me udhëheqësit e G-20 në Japoni.

Duke shkuar në Korenë e Veriut dhe duke u përpjekur për ta çuar përpara çështjen bërthamore, Xi mund të përpiqet ta ofrojë veten si "ndoshta një ndërmjetës të ndershëm".

"Unë mendoj se Xi do të luajë lojën me Korenë e Veriut në atë masë nga sa mund të marrë diçka nga amerikanët, ose në tregti ose ndoshta për të siguruar një dorë të lirë në Detin e Kinës Jugore. Ka shumë për t’u fituar këtu", thotë Siracusa.

Zhao Tong thotë se Kina po përpiqet të tregojë se mund të ndihmojë në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit po përballen me sfida të mëdha.

"Në këtë moment, vizita do të ndihmojë takimin e mëvonshëm të presidentit Xi me Presidentin Trump," thotë analisti Zhao. "Presidenti Xi është gjithashtu i shqetësuar për kursin e marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara."

Ai shton se nëse bisedimet mes Phenianit dhe Uashingtonit do të rifillojnë pasi presidenti Trump të vizitojë Korenë e Jugut më pas këtë muaj, diskutimet strategjike të kësaj jave midis Koresë së Veriut dhe Kinës do të shihen se kanë qenë të dobishme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG