Lidhje

Përvjetori i Brexit-it, vazhdon kaosi politik në Britani


Britain Conservatives

Këtë javë mbushen tre vjet që kur Britania votoi për t'u shkëputur nga Bashkimi Evropian, por pati pak festime të mëdha apo protesta, pasi pasojat e referendumit vazhdojnë ta mbajnë vendin në kaos politik. Analistët thonë se dorëheqja e Kryeministres Theresa May

muajin e kaluar ka rritur mjaft gjasat që Britania të dalë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje në tetor, ndërsa kandidatë me pikëpamje më agresive ndaj BE-së kanë hyrë në garë për zëvendësimin e zonjës May. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, ligjvënësit po përgatiten për zgjedhje të mundshme të përgjithshme për t'i dhënë fund ngërçit.

Tre vjet të shoqëruar me dy dorëheqje kryeministrash, një ekonomi të lëkundur dhe një shoqëri të ndarë. Dhe vazhdon pasiguria e madhe rreth asaj se kur apo nëse Britania do të shkëputet nga Bashkimi Evropian. Britania është në kaos dhe pa një diagnozë të mirë.

"Pasoja më e rëndësishme e faktit që Brexit-i po merr kaq shumë kohë për t’u realizuar ka qenë shkatërrimi absolut i besimit në politikë", thotë Anand Menon nga Programi Mbretëria e Bashkuar në një Evropë në Ndryshim.

Kush mund ta rikthejë besimin tek politika? Detyra do të bjerë mbi njërin nga dy personat në garë për të marrë postin e udhëheqësit të partisë konservatore dhe Kryeministrit të ardhshëm të vendit.

Favorit për postin është ish-Sekretari i Jashtëm Boris Johnson. Përkrahësit e tij thonë se ai është energjik dhe karizmatik, kurse kritikët e quajnë të pandershëm dhe me dy fytyra. Johnson thotë se ka ardhur koha për të ndjekur një kurs më agresiv me Bashkimin Evropian, dhe thotë se pavarësisht rrethanave, Britania do të shkëputet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

"Rruga më e mirë për t’i bindur miqtë dhe partnerët për seriozitetin tonë, në fund, kam frikë se do të jetë braktisja e disfatizmit dhe negativitetit që na ka përfshirë për një kohë kaq të gjatë dhe përgatitjet me seriozitet për një marrëveshje me Organizatën Botërore të Tregtisë ose për shkëputje pa marrëveshje."

Zoti Johnson thotë se Marrëveshja për Shkputje që Theresa May kishte negociuar me Brukselin është e vdekur, dhe BE duhet të rihapë negociatat.

Ai pretendon se pika kryesore e fërkimit rreth vendosjes së një kufiri tradicional në Irlandën e Veriut mund të shmanget përmes teknologjisë, edhe pse ai nuk ka ofruar detaje.

Rivali i zotit Johnson, Sekretari i jashtëm aktual Jeremy Hunt gjithashtu thotë se do të lejojë që Britania të shkëputet pa asnjë marrëveshje nëse BE nuk do të lëviz nga qëndrimi i saj.

"Rreziku politik i mosrealizimit të Brexit-it nuk është shumë më i keq sesa rreziku ekonomik i shkëputjes pa marrëveshje, dhe në një situatë të tillë unë do të vendosja për shkëputje nga Bashkimi Evropian".

Përgjigja e përsëritur e Evropës ka qenë e drejtpërdrejtë.

"Marrëveshja për shkëputje nuk është e hapur për rinegociim."

Dhe ky mund të mos jetë një bllof i Evropës.

"Unë mendoj se është shumë e vështirë që Bashkimi Evropian të lëvizë në këtë pikë. Kështu që, pavarësisht se kush do të jetë Kryeministri ynë i ardhshëm, ai mund të përfundojë në të njëjtën pozitë si Theresa May, duke shkuar në Bruksel, duke kërkuar koncesione dhe duke mos marrë asgjë", thotë Anand Menon i Programit Mbretëria e Bashkuar në një Evropë në Ndryshim.

160 mijë anëtarët e partisë konservatore në mbarë Britaninë do të zgjedhin udhëheqësin dhe KRyeministrin e ardhshëm të vendit përmes votimit. Rezultatet do të shpallen pas 22 korrikut.

Kritikët thonë se kjo është thellësisht jodemokratike. Pavarësisht se kush fiton, konservatorët ende nuk kanë shumicën në parlament, një tregues se kaosi politik në Britani nuk ka të ngjarë të tejkalohet në një të ardhme të afërt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG