Lidhje

Zgjedhjet, SHBA: Kundërshtimi i rezultatit në Gjykatën Kushtetuese


Në Shqipëri ambasada amerikane deklaroi mbrëmjen e së hënës se “ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”. Deklarata e selisë diplomatike amerikane, erdhi pas vlerësimit paraprak të misionit të vëzhguesve ndërkombëtar, për zgjedhjet vendore të një dite më parë.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave”, thekson deklarata. “Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”.

Ambasada amerikan, thekson se “në këtë çast, ne iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve të ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare, përfshi përparimin me reformat e rëndësishme zgjedhore të rekomanduara nga ODIHR”, nënvizon deklarata, e cila përfundon me rikonfirmin se Shtetet e Bashkuara “janë të përkushtuara të ndihmojnë për forcimin e shtetit ligjor dhe ndërtimin e një demokracie më të fortë dhe një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG