Lidhje

Opozita, protestë tjetër kundër Qeverisë në Tiranë


Në Shqipëri, opozita zhvilloi mbrëmjen e së hënës një tjetër protestë paqësore, e para pas zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, të cilat për kryetarin demokrat Lulzim Basha ishin “një referendum kundër të keqes”. Sipas opozitës, pjesmarrja e ulët në zgjedhje, 15 përqind sipas saj, por mbi 22 përqind sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ishin tregues i refuzimit të Qeverisë nga ana e shqiptarëve. “30 qershori hyri në histori si dita kombëtare e kurajos, kur shqiptarët treguan se ata kanë forcën të ndahen nga e keqja, ishte dita e popullit kur shqiptarët treguan se janë kundër rregjimit kriminal të Edi Ramës”, u shpreh zoti Basha në fjalën e tij drejtuar mbështetësve të mbledhur para selisë së kryeministrisë.

Opozita ka denoncuar manipulimin e zgjedhjeve vendore. Një kuti e madhe votimi, e cila mbushej me fletë me mbishkrimin RAMA IK, ishte përzgjedhja simbolike e opozitës për të treguar vjedhjen e votave që sipas saj është kryer në 30 Qershor. “Vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe prapë i vodhi votat, por nuk mundi të fshehë braktisjen dhe refuzimin e një populli”, u shpreh Basha.

Kryetari demokrat përsëriti disa herë se beteja e nisur për largimin e kryeministrit Edi Rama do të vazhdojë. “Sot shqiptarët janë të etur për ndryshim, duan një ndryshim të vërtetë, jo të përkohshëm, jo falls apo fasadë, por një ndryshim që do i japë fund krizave dhe dramave të tranzicionit e që do na fusë në rrugën e sigurt të BE-së dhe vlerave perëndimore. Ky ndryshim – theksoi ai - do vijë nëse nuk përsërisim atë që kemi bërë në të shkuarën. Kriza do zgjidhet me parime e jo me pazare, duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Kush e ka sjellë vendin në këtë pikë, ata që kanë sjellë krimin në politikë, nuk do dalin nga kriza si shpëtimtarë por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen e vendit. Vetëm drejtësia përmes ligjit. Ndaj dua ta deklaroj sonte para botës, derisa të dalin para drejtësisë së vërtetë ata që vodhën votat e shqiptarëve bashkë me krimin nuk do të ketë zgjidhje politike”.

Sipas zotit Basha, zgjidhja nuk duhet pritur nga jashtë por nga vetë shqiptarët. “Shpëtimi nuk do të na vijë nga jashtë. Zgjidhja nuk do vijë me magji. Punën nuk do të na e bëjnë të tjerët. Në rrugën tonë do të kemi ndihmën e miqve. Në betejat tona nuk do të jemi vetëm, por beteja është e jona”, theksoi ai.

Protesta e opozitës u zhvillua pak pasi parlamenti miratoi në mbrëmje ngritjen e një Komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Iir Meta, por në fjalën e tij, si në sheshin e protestës, ashtu dhe në mbyllje të saj në selinë e Partisë Demokratike, zoti Basha, nuk u mor për asnjë moment me këtë çështje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG