Lidhje

Departamenti i Drejtësisë nuk mund të ndryshojë ekipin për pyetjen e shtetësisë


Sipas një vendimi të një gjyqtari federal, Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk mund të ndryshojë ekipin e tij ligjor, në kuadër të përpjekjeve për të përfshirë pyetjen mbi nënshtetësinë në procesin për regjistrimin e popullsisë së vitit 2020.

Në muajin qershor Gjykata e Lartë vendosi kundër përfshirjes së pyetjes duke thënë se arsyetimi i administratës për përfshirjen e saj me qëllimin për të mbrojtur të drejtën e votimit të pakicave, "duket i sajuar".

Ekipi i avokatëve të administratës që trajtoi çështjen fillimisht u duk se hoqi dorë nga përpjekjet për të përfshirë pyetjen, pasi nuk pati kohë të mjaftueshme për të dalë me një arsyetim më të mirë, përpara afatit të vendosur për të nisur printimin e formularëve.

Por një ditë më pas në një postim në Twitter Presidenti Donald Trump shkruante se lajmet e njoftuara se Departamenti i Tregtisë kishte hequr dorë nga përpjekjet për ta vënë pyetjen në formular, ishin "të rreme".

Të dielën Departamenti i Drejtësisë njoftoi do ta zëvendësonte ekipin ligjor që mbronte çështjen e shtetësisë, por nuk ofroi shpjegime mbi këtë ndryshim.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr tha të hënën se këtë javë administrata Trump do të ndërmarrë veprime që do të mundësonin përfshirjen e çështjes së shtetësisë në procesin për regjistrimin e popullsisë.

Kundërshtarët e përpjekjeve të administratës për përfshirjen e kësaj pyetjeje thonë se ajo mund të dekurajojë emigrantët që të marrin pjesë në census, duke i lënë ata jashtë procesit të numërimit, çfarë do të sillte si pasojë një përfaqësim më të ulët të demokratëve në Kongres dhe reduktim të fonde federale në ato zona ku jetojnë emigrantët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG