Lidhje

SHBA, Tajvani dhe Kina


Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të “trajtojë me korrektësi çështjet që kanë të bëjnë me Tajvanin” dhe të mos “luajnë me zjarrin”.

Në fillim të javës Departamenti i Shtetit miratoi një marrëveshje për t’i shitur Tajvanit tanke, raketa dhe pajisje të tjera me vlerë prej 2.2 miliardë dollarësh.

Shitja e mundshme e armatimeve e ka zemëruar Kinën. Pekini i ka bërë thirrje Uashingtonit që të anulojë marrëveshjen, duke thënë se “shkel rëndë parimin e një Kine të vetme... ndërhyn rëndë në punët e brendshme të Kinës dhe nënvlerëson pavarësinë dhe interesat e sigurisë së Kinës”.

Kina ka thënë se do të vërë sanksione ndaj çdo komapanie amerikane të përfshirë në shitjet e armëve, megjithëse ato nuk e kanë të lejuar shitjen e armëve Kinës që nga masakra e vitit 1989 në Sheshin Tienanmen. Shtetet e Bashkuara thonë se shitja e armëve Tajvanit synon të nxisë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Azi-Paqësorit dhe se Uashingtoni nuk po ndryshon politikën e “një Kine të vetme”.

Në bazë të ligjit, Shtetet e Bashkuara janë të detyruara ta ndihmojnë Tajvanin për të mbrojtur vetveten dhe rregullisht i shesin atij vendi armatime, duke krijuar edhe reagime të ashpra nga Kina.

Kina po ashtu është e zemëruar pasi Shtetet e Bashkuara lejuan Presidentin Tsai Ing-wen të Tajavanit të ndalojë në Amerikë ndërsa udhëtonte drejt katër shteteve aleate në Karaibe.

Një delegacion dypalësh nga Komisioni i Punëve të Jashtëme të Dhomës së Përfaqësuesve u takuan të premten me zotin Tsai në qytetin e Nju Jorkut, ku udhëheqësi i huaj mori pjesë në një takim biznesi Amerikano-Tajvanez.

Kongresmeni amerikan Michael McCaul tha pas takimit se kishin diskutuar për një gamë të gjërë çështjesh, duke thënë se Tajvani është një partner i fortë dhe jo një ushtar i Kinës.

Kongresmeni Steve Chabot tha se Tajvani u del përballë taktikave të ngacmimeve nga Kina dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë mbështetjen për atë vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG