Zyrtarët amerikanë thonë se kanë bërë shumë për të ulur tensionet me Iranin dhe krijuar mundësitë për negociata. Presidenti Donald Trump thotë se synimi i administratës së tij nuk është ndryshimi i regjimit në Iran, por moslejimi që Teherani të ketë armë bërthamore. Nga ana e tij, Teherani është shprehur i gatshëm për bisedime me zyrtarët amerikanë, nëse Uashingtoni kthehet tek marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, marrëveshje e cila u braktis nga Presidenti Trump një vit më parë.
Sanksionet e ashpra ekonomike amerikane ndaj Teheranit i detyruan aleatët evropianë të Uashingtonit që të frenojnë marrëdhëniet me Iranin. Kryediplomati amerikan, Mike Pompeo, tha të martën se sanksionet ndaj Iranit kanë qënë të dobishme.
“Që nga qershori, është bllokuar 90 deri 95 përqind e naftës së papërpunuar iraniane që duhej eksportuar në mbarë botën. Regjimi iranian po përpiqet të gjejë zgjidhje për ekonominë e atij vendi.”
Reagimi i Iranit ishte shtimi i prodhimit të lëndëve bërthamore përtej kufizimeve të caktuara në marrëveshjen e vitit 2015. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se veprimi ishte përgjigje ndaj shkeljes së marrëveshjes nga pala evropiane.
“Kemi filluar të ulim angazhimet tona ndaj marrëveshjes dhe procesi sigurisht do të vazhdojë. Juve nuk zbatuat asnjë angazhim tuajin, përse doni që ne t’i përmbahemi zotimeve tona?”,- shtroi pyetjen udhëheqësi suprem Khamenei.
Udhëheqësit iranianë kanë thanë se janë të gatshëm të negociojnë me Uashingtonin nëse Shtetet e Bashkuara do të kthehen tek marrëveshja e vitit 2015 dhe zbusin sanksionet. Uashingtoni tha të martën se ofertat për të negociuar janë përballur gjithmonë me sjellje agresive nga Irani. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus:
“Mesazhi ynë ka qënë se jemi të gatshëm të bisedojmë me iranianët. Presidenti dhe Sekretari i Shtetit kanë thënë disa herë se do të flasin pa parakushte, dhe iranianët vetëm duhet të tregojnë se janë të gatshëm të bisedojnë.”
Presidenti Trump tha në një takim të kabinetit të martën se ai dëshiron një marrëveshje që do të parandalojë Iranin që të prodhojë armë bërthamore, dhe ndalojë ndërhyrjen e atij vendi në rajon.
“Duam t’i ndihmojë ata dhe të tregojmë mirësi. Ne do të punojmë me ta dhe do t’i ndihmojmë në çdo mënyrë të mundshme. Por ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Nuk po kërkojmë ndryshim regjimi, pavarësisht se disa njerëz thonë se po kërkojmë ndryshim regjimi. Ne nuk po kërkojmë ndryshim regjimi.”
Kandidati i Presidentit Trump për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, Mark Esper, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë luftë me Iranin dhe se duhet rikthyer në kanalin diplomatik.
Facebook Forum