Lidhje

Britania trajton çështjen e anijes çisternë të bllokuar nga Irani


Kryeministrja britanike Theresa May po takohet me zyrtarët më të lartë të sigurisë për të diskutuar mbi çështjen e kapjes nga Irani të një çisterne nafte me flamur britanik në ngushticën e Hormuzit. Britania e quajti kapjen e çisternës një "akt armiqësor". Ndër kundërpërgjigjet që po shqyrton Londra është mundësia e vendosjes së sanksioneve ekonomike ndaj Iranit.

Një anije ushtarake britanike paralajmëroi një anije patrullimi iraniane që të mos e pengonte cisternën Stena Impero të kalonte përmes ngushticës, por pak kohë më vonë cisterna u kap nga komandat e Gardës Revolucionare të Iranit që zbritën nga një helikopter.

Në audion e publikuar nga kompania e rreziqeve të sigurisë detare Dryad Global, një oficer britanik i marinës dëgjohet duke i thënë cisternës se ajo po lundronte në ujërat ndërkombëtare dhe kishte të drejtën për të kaluar pa pengesë.

Zyrtari britanik pastaj i thotë ekuipazhit të një varke patrullimi iraniane që të konfirmojë se nuk ka ndërmend të shkelë të drejtën ndërkombëtare duke u përpjekur të hipë në cisternë. Por një oficer iranian i thotë cisternës që të ndryshojë kurs.

"Stena Impero, Stena Impero, urdhëroheni ta ndryshoni kursin në 360 gradë menjëherë. Nëse bindeni, do të jeni të sigurt.”

Rojet revolucionare iraniane publikuan të shtunën një video ku duken disa motoskafë që rrethojnë cisternën para se trupat speciale të zbresin me litar në anije nga një helikopter.

Një zyrtar i Iranit tha se anija kërkohej për arsye sigurie, edhe pse zyrtarë të tjerë thonë se kapja e saj u bë si kundërpërgjigje ndaj bllokimit në Gjibraltar të një supercisterne iraniane, që besohet se transportonte 2 milionë fuçi naftë për në Siri.

Irani thotë ndërkaq se cisterna Stena Imperio goditi një anije peshkimi. Irani vazhdon ta mbajë cisternën dhe ekuipazhin e saj prej 23 vetësh, por tha se të gjithë ata gëzojnë shëndet të plotë.

Britania e quajti kapjen e cisternës një "akt armiqësor". Ndër kundërpërgjigjet që po shqyrton Britania është mundësia e vendosjes së sanksioneve ekonomike ndaj Iranit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG